E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi zgjedhjet e parakohshme ne 17 qershor

Greqia do të mbajë zgjedhje të reja të parakohshme në datën 17 qershor, ndërsa deri atëherë do të jetë një gjykatës i lartë ai që do të drejtojë vendin.

Presidenti i Këshillit të Shtetit, Panajotis Pikramenos, do të jetë kreu i ekzekutivit që do të ketë si detyrë kryesore përgatitjen e zgjedhjeve dhe zbatimin e pikave për marrjen e rregullt të kësteve të kredisë nga vendet e BE-së, gjatë katër javëve deri në zgjedhje.

Datën e zgjedhjeve, e lajmëroi të mërkurën Presidenti i Greqisë, Karolos Papoulias, i cili nëpërmjet një deklarate shprehu edhe pakënaqësinë e tij për mosarritjen e një marrëveshje midis liderave politikë.

Asnjë parti nuk fitoi shumicën në Greqi në zgjedhjet e datën 6 maj, ndërsa tentativat e tre partive me më shumë vota për të formuar një kabinet dështuan, duke bërë të pashmangshme mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Sipas sondazheve, në zgjedhjet e qershorit pritet të evidentohet një rritje e ndjeshme e radikalëve të majtë, partisë së “Syrizas”, por edhe “Chrystos Avgi”, një parti neonaziste.

Nëse diçka e tillë do të verifikohet, Athina zyrtare mund të drejtohet për herë të parë që prej fillimit të krizës nga një parti që kundërshton kreditë dhe planin europian për shpëtimin e Greqisë.

Deklarimi i datës së 17 qershorit për zgjedhjet e reja të përgjithshme në Greqi erdhi në një ditë kur në takimin e Merkel me presidentin e sapozgjedhur të Francës, Francois Hollande, u fol për rëndësinë e mbetjes së vendit në Eurozonë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›