E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia në kod të kuq për 15 gushtin, priten erëra mbi 100 km/h. Vendi në alarm për zjarret

Në gjendje alarmi është vendosur Greqia për 15 Gushtin, që përkon edhe me festën e Shën Mërisë, për shkak të rrezikut shumë të lartë për përhapjen e zjarreve, ndërsa erërat e fuqishme vazhdojnë të godasin zona të mëdha të vendit.

Sipas hartës së parashikimit të rrezikut nga zjarret të autoriteteve greke, një pjesë e konsiderueshme e territorit është përfshirë në kodin e kuq, që nënkupton rrezik shumë të lartë, të kategorisë 4.

Në këtë situatë, autoritetet kanë kaluar në mobilizim të plotë, ndërsa forcat e emergjencës janë vendosur në gatishmëri të shtuar për të ndërhyrë në rast të shpërthimit të ndonjë zjarri.

Në kategorinë e rrezikut shumë të lartë janë përfshirë Atika, Korinthia, Argolida, Lakonia, Ahaia, Ilia, Beotia, Ftiotida dhe Evia, ndërsa në listë janë edhe Sporadet, ishujt e Egjeut, Kreta, Halkidiki dhe Mali Athos.

Autoritetet u kanë kërkuar bashkive dhe rajoneve të prekura të aktivizojnë strukturat përkatëse të koordinimit të mbrojtjes civile dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për përballimin e rrezikut nga zjarret.

Në të gjithë zonat me rrezik të lartë është rritur prania e forcave të Zjarrfikëses. Personeli ndodhet në gatishmëri, ndërsa janë shtuar patrullimet dhe është bërë shpërndarja e forcave në zonat më të ekspozuara.

Në terren po aktivizohen edhe njësitë speciale për operacionet në zona pyjore, ndërsa do të zhvillohen patrullime ajrore me mjete të ngarkuara për ndërhyrje të menjëhershme në rast konstatimi të një vatre zjarri.

Situatën e vështirë e përkeqësojnë edhe erërat e forta, veçanërisht në Egje, Kretë dhe në pjesë të Greqisë lindore, juglindore dhe verilindore.

Erërat e forta, të kombinuara me temperaturat e larta dhe bimësinë e thatë, rrisin ndjeshëm rrezikun për shpërthimin dhe përhapjen e shpejtë të zjarreve.

Autoritetet kanë intensifikuar kontrollet dhe kanë rikujtuar masat kufizuese për aksesin dhe qarkullimin në pyje, parqe kombëtare dhe zona të tjera të ndjeshme, sipas vendimeve të autoriteteve lokale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›