E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia zaptohet sërish nga grevat

Gazeta Shqip

Kriza

Masat e reja, shkurtohen pagat dhe pensionet me 5-20 për qind

Në Greqi ka nisur një grevë 48-orëshe e punonjësve publikë, ndërkohë që ligjvënësit diskutojnë për një raund të ri masash shtrënguese, të nevojshme për një tjetër këst fondesh ndihmë nga Bashkimi Europian.

Policia dhe trupat anti-trazirave ishin sot të shpërndarë në të gjithë Athinën, ndërsa më shumë se 35 mijë njerëz marshuan përmes kryeqytetit grek në dy demonstrata të veçanta, të organizuara nga sindikatat.

Prej grevës u anuluan fluturime për brenda dhe për jashtë vendit për disa orë me radhë, si dhe u ndërprenë shërbimet e trenave dhe të trageteve. Shkollat dhe zyrat qeveritare janë të mbyllura dhe spitalet janë duke punuar vetëm me stafin e emergjencës. Greva, e cila vazhdon deri nesër, është e treta grevë masive në dy muaj.

Në Athinë filloi të debatohet dje për paketën e re të kursimeve prej 13,5 miliardë eurosh deri në fund të vitit 2014. Ndërkohë që deri në vitin 2016 do të duhet të kursehen edhe 3,4 miliardë euro të tjera. Paketa e re duhet të miratohet në Parlamentin grek, sepse ajo është kushti për t’u hapur rrugën ndihmave të tjera financiare nga jashtë. Kryeministri konservator, Antonis Samaras, edhe më tej po përballet me kundërshtimin nga partnerët e tij të koalicionit qeverisës, PASOK dhe të Majtën Demokratike. Detajet e tjera të programit të ri të kursimeve do të përpunohen e miratohen në muajt e ardhshëm.

Pas negociatave disamujore me donatorët, qeveria e Athinës shpalli programin e ri të kursimeve. Ai parashikon shkurtime të tjera në pagat e nëpunësve civilë dhe të punonjësve në shërbimet publike, si dhe në subvencionet për fëmijët. Kështu familjet që fitojnë më shumë se 18.000 euro në vit nuk kanë të drejtë të marrin ndihmën për fëmijët. Do të ulen në mënyrë drastike dëmshpërblimet për humbjen e vendit të punës, ndërkohë që punëdhënësit lejohen të përmbyllin kontrata individuale me punëmarrësit. Shumë rroga të nëpunësve të shtetit po ashtu do të ulen nga 6-20%. Deri në fund të vitit 2012 do të dalin në pension të parakohshëm rreth 2000 nëpunës administrate.

Më rëndë preken pensionistët: për të katërtën herë brenda tre vjetësh do të shkurtohen pensionet, si dhe paratë e Krishtlindjeve për pensionistët dhe punonjësit në shtet. Të gjithë pensionet nga 1000 euro e lart do të shkurtohen me 5-10%. Ndërkohë, mosha e pensionit në Greqi do të rritet nga 65 në 67 vjeç. Ndërkohë e gjithë Greqia ka hyrë në ditën e dytë të grevës së përgjithshme 48-orëshe. Pritet që greva të përfundojë të mërkurën në mbrëmje me një tubim masiv në qendër të Athinës. Greva ka paralizuar transportin publik dhe shërbimet shëndetësore.

Greqia zaptohet sërish nga grevat burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›