Grevistët refuzojnë edhe spitalin. Protesta dhe solidaritet në Shkodër, Elbasan, Vlorë e Korçë
Në Shqipëri ish të burgosurit politikë, të cilët janë prej tre javësh në grevë urie, vendosën të heqin dorë nga vendimi ekstrem për të mos konsumuar ujë. Situata megjithatë mbetet e rëndë dhe disa prej grevistëve janë në gjendje të rënduar shëndetësore, por kanë refuzuar të dërgohen në spital.
Ish të përndjekurit kanë preferuar të marrin mjekim vetëm në mjediset e grevës. Ndërsa prej disa ditësh, forca të shumta të policisë mbajnë të rrethuar zonën ku zhvillohet protesta. Një gardh i uniformave blu nuk lejon askënd të takojë grevistët, as familjarët e tyre. Një grup qytetarësh nga Vlora qëndruan pranë vendit të grevës në shenjë solidariteti.
Në mjediset e grevës tani kanë mbetur vetëm 10 ish të dënuar, të cilët këmbëngulin se janë gati të flijohen nëse nuk kërkesat e tyre nuk plotësohen. Nga greva ka dalë Arif Beu, që kishte vajzën e sëmurë. Ai nuk pranoi të dilte, por të përndjekurit i kërkuan që të linte grevën.
Ndërkohë, të përndjekurit politikë në Shkodër kanë mbështetur grevën e urisë që po zhvillohet në Tiranë. Me anë të një proteste ata i kanë përcjellë ish-bashkëvuajtësve në burgjet e komunizmit mbështetjen e tyre.
Ne sheshin ‘Luigj Gurakuqi’, në qendër të qytetit kanë lexuar mesazhin e mbështetjes së grevës së urisë, që po zhvillohet në Tiranë. Nga qyteti më antikomunist në diktaturë, ish të dënuarit politikë të Shkodrës janë shprehur se greva e urisë nuk është politike, por plotësisht e drejtë.
Shoqata e të Përndjekurve Politikë në Shkodër shprehet se së shpejti do të organizojë një protestë masive në mbrojtje të të drejtave që i takojnë ish-të dënuarve politikë.
Protestën e kanë përkrahur edhe ish- të përndjekurit e Korçës, dy ditë më parë, por edhe ish- të përndjekurit e Elbasanit.
150 ish të përndjekur politikë të qarkut të Elbasanit do t’i bashkohen të hënën grevës së urisë, e cila po zhvillohet në kryeqytet.