E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Gripi/ Fluks pacientësh në spitalin e Lushnjes, mbi 100 vizita në ditë

Në Urgjencën e spitalit në Lushnje është rritur numri i fëmijëve të sëmurëve nga virozat gripale.
Numri kalon mbi 100 vizita në ditë, duke bërë që repartet e urgjencës, reanimacionit dhe infektivit në Pediatri të jenë me kapacitet të plotë.

Kolla e fortë, probleme në frymëmarrje dhe temperaturë 39 apo 40 gradë, janë simptomat më të shpeshta që zgjasin për disa ditë.Ka raste që nënat kanë dy ose më shumë fëmijë të shtruar në spital sepse virusi që qarkullon është shumë ngjitës.

Virozat nuk kanë kursyer as fëmijët e porsalindur, dy javësh. Sipas mjekes pediatre, të vegjlit kanë nevojë për oksigjen sepse kanë ftohje në të dyja krahët, por nëse viroza kapet në kohë ajo kalon pas 2 ditësh.

Sezoni i ftohtë po favorizon virozat dhe ambientet kolektive janë përhapësit kryesor të tyre. Këshillat që mjekët japin me këtë rast për nënat e reja janë: të kenë kujdes në ajrimin e ambienteve, tu japin fëmijëve ushqime me vitamina, të përdorin veshje të ngrohta dhe përdorimi i suprave të ngrohta.

Deri tani në Lushnje nuk ka pasur raste të rënda të semundshmërisë por virozat kanë prekur të gjitha grupmoshat pediatrike, nga 0 deri ne 15- vjeç.

/rtsh/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›