Grupet e shoqërisë civile: Thëngjilli vret!

BERZH-i ka organizuar në Beograd takimin konsultues rreth Strategjisë së re për Energji te BERZH, me grupet e shoqërisë civile te rajonit te Ballkanit Perëndimor.
Grupet e shoqërisë civile nga shtetet e rajonit, ATRC dhe KOSID nga Kosova, kanë paralajmëruar Bankën se ajo duhet të ndal financimin e projekteve energjetike mbi bazën e thëngjillit, me arsyetimin se thëngjilli është shkaktari i 23.000 vdekjeve për vit në të gjithë Evropën [1], 835 ne vit vetëm ne Kosove, gjithashtu kontribuues i rrezikshëm në ndryshimet klimatike. Përkundër kësaj, BERZH-i gjatë viteve 2006 dhe 2011 në rajonin e saj operues iu ka huazuar projekteve për thëngjill më shumë se 675 milion EUR.
Banka Botërore dhe Banka Evropiane për Investime (BEI) rishtazi kanë ndërmarrë hapa për të ndaluar huadhënien për thëngjill nga politikat e tyre energjetike, megjithatë drafti i politikës së re nga BERZH-i dëshmon se Banka planifikon të vazhdojë financimin e thëngjillit dhe lëndëve djegëse fosile.
“Tani që (BEI) virtualisht ka ndërprerë investimet për thëngjill, tani radha është tek BERZH-i, dhe konsultimet publike që po mbahen në Beograd me datën 4 shtator mund të sjellin një shans të re për të ndryshuar strategjinë e energjisë për huadhënie në mënyrë që ajo të jetë në përputhshmëri me kërkesat e shoqërisë dhe mjedisit”, komentoi Pippa Gallop, koordinator hulumtues në Rrjetin CEE Bankëatch .
Megjithëse Kroacia këtë vit u fut në BE, dhe shtetet e rajonit aspirojnë të njëjtën gjë, një raport i përbashkët nga shoqëria civile Investim i Nxituar- Pendim në Kohën e Lirë i publikuar në muajin Qershor, zbulon se shtetet e Ballkanit Perëndimor akoma janë duke ecur në drejtim të kundërt nga qëllimet e BE-së mbi ndryshimet klimatike për vitin 2050,një situatë jashtëzakonisht e kushtueshme për tu kthyer mbrapa atëherë kur kërkesat e BE-së bëhen detyruese për këto vende.
"Kur është fjala për investime energjetike, BERZH-i, i cili ishte huadhënësi më i madh publik në sektorin energjetik të Ballkanit Perëndimor gjatë vitit 2006 dhe 2012, është duke u bërë i njohur si 'djali i keq bankar', sepse pothuajse gjysma e një totali prej 1,09 bilion EUR shkoi në lëndët djegëse fosile. Për më tepër, BERZH-i konsideron mundësinë për të mbështetur të paktën ndërtimin e dy termocentraleve të reja energjetike, duke përfshirë këtu edhe Kolubara B në Serbi”, shpjegoi Garret Tankosić-Kelly, drejtues i OJQ-se regjionale SEE Change Net. Një vështrim ndaj BERZH-it për investimet e energjisë në Ballkanin Perëndimor nuk dëshmon të ketë në të ardhmen ndonjë qëndrueshmëri drejt rritjes së efiqiencës së energjisë dhe burimeve të ripërtërishme.
Sipas HEAL (Aleanca për Shëndet dhe Mjedis) vetëm në Serbi, shpenzimet sociale dhe shëndetësore të djegies së qymyrit janë vlerësuar deri në 4.99 bilion EUR në vit, duke detyruar organizatat jo-fitimprurëse Evropiane të adresojnë çështjen e ndikimit të mjedisit në shëndet në Bashkimin Evropian . Sipas të njëjtit raport, në Serbi çdo vit ndodhin deri në 2100-vdekjeve nga thëngjilli. "Serbia gjatë vitit 2006-2012 ka marrë 80 milionë euro nga BERZH-i për sektorin e saj të linjitit por vetëm 4.9 milionë euro për burime te ripërtërishme të cilat nuk janë të lidhura me hidro energji. Përkundër ndikimit të linjitit në shëndet, nevoja e Serbisë që ta vë shtetin e saj në përputhshmëri me politikat klimatike të BE-së dhe dekarbonizimit poashtu dhe kërkesa masive e shtetit për potencial të efiqiencës së energjisë, BERZH-i duket i vendosur për të financuar themelimin e termocentralit Kolubara B ", thotë Zvezdan Kalmar, nga OJQ-ja serbe CEKOR” , thuhet në komunikatën e tyre.
Grupet e shoqërisë civile u kanë dorëzuar sot përfaqësuesve të BERZH-it një peticion të iniciuar nga 350 organizata. Peticioni Largojeni BERZH-in nga Lëndët Djegëse Fosile është nënshkruar nga 16 725 njerëz në të gjithë botën, duke inkurajuar BERZH-in ti jap fund mbështetjes së tij për lëndët djegëse fosile të pista të cilat janë duke nxitur ndryshime të rrezikshme klimatike. Siç tregon 2012 Raporti për Matjen e Karbonit, në qoftë se ne duhet të mbajmë ndryshimin klimatik nën 2 °, ne duhet të mbajmë 80% të rezervave të lëndëve djegëse fosile nën tokë.
"Në vitin e kaluar ne kemi vërejtur se sektori financiar ka filluar të ballafaqohet me realitetin dhe ka kuptuar se investimet në kompanitë e lëndëve djegëse fosile paraqesin një bast të keq dhe kur efektet e ndryshimit klimatik fillojnë të ndjehen nga komunitetet në të gjithë botën, veprimi nuk mund të vijë aq shpejtë. Një bast në lëndët djegëse fosile është një bast kundër një jetese të denjë në të ardhmen", përsëriti Tim Ratcliffe, aktivist Evropian nga rrjeti i 350 organizatave.
BERZH-i duhet të përmirësojë draftin aktual të Strategjisë së Energjisë, në mënyrë që të përmirësojë cilësinë e jetës së njerëzve dhe të ndihmojë parandalimin e pasojave që sjellin thëngjilli dhe ndryshimet klimatike në rajon. Ne presim që BERZH-i të tregojë përkushtim të vërtetë ndaj parandalimit të vdekjeve nga thëngjilli dhe për një të ardhme më të pastër dhe të shëndetshme” përfundon njoftimi./Indeksonline/