E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Grupi i PD kërkon interpelancë urgjente me Kryeministrin Rama

Gazment Bardhi shpjegon kompromisin për listat: Nuk e dimë nëse do të jetë më mirë apo më keq. Por është progres

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar zhvillimin e një interpelance urgjente me kryeministrin Edi Rama në seancën më të afërt plenare, për të dhënë sqarime mbi protestat qytetare që po zhvillohen prej disa javësh në vend dhe shqetësimet e ngritura prej tyre.

Në një njoftim për mediat, PD thekson se protestat, të nisura më 31 maj 2026 nga qytetarë të paangazhuar politikisht, u shkaktuan fillimisht nga mungesa e transparencës lidhur me një projekt zhvillimor në një zonë të mbrojtur natyrore. Sipas demokratëve, lëvizja është zgjeruar më tej duke artikuluar shqetësime për korrupsionin, keqqeverisjen, abuzimin me pushtetin dhe mungesën e transparencës në projektet publike.

PD rendit si kërkesa kryesore të protestuesve shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, anulimin e “Paketës së Maleve”, si dhe ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe atë për trashëgiminë kulturore.

Sipas opozitës, këto shqetësime kanë gjetur pasqyrim edhe në rezolutën e miratuar më 17 qershor nga Parlamenti Europian mbi raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë. Demokratët theksojnë se rezoluta shpreh shqetësim për zgjatjen e ligjit të investimeve strategjike dhe kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura.

Për këtë arsye, Grupi Parlamentar i PD-së kërkon që kryeministri Rama të paraqitet në Kuvend për të informuar mbi masat që qeveria ka ndërmarrë për adresimin e rekomandimeve të Parlamentit Europian dhe kërkesave të qytetarëve që protestojnë prej afro tre javësh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›