Gryka e Vajës, monument natyre ku shkëmbinjtë dhe ujërat e kristalta krijojnë një peizazh të rrallë

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Gryka e Vajës, një zonë me bukuri të spikatura natyrore në krahinën e Krujës, vijon të tërheqë vëmendjen për peizazhin e saj të veçantë, ku shkëmbinjtë, kanionet, gjelbërimi dhe ujërat e kristalta ndërthuren në një panoramë të rrallë.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga kjo zonë, e shpallur monument natyre, duke vënë në dukje vlerat e saj të veçanta natyrore.
“Një peizazh i gdhendur nga koha, mes kanioneve, gjelbërimit dhe freskisë së ujit, që të kujton se disa prej thesareve më të bukura të Shqipërisë gjenden ende larg zhurmës, në natyrën e paprekur”, shkroi Jaupaj.
Gryka e Vajës përfaqëson një prej hapësirave natyrore që ofrojnë mundësi për eksplorim dhe turizëm të lidhur me natyrën, ndërsa ruajtja e peizazhit dhe biodiversitetit mbetet një element i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre destinacioneve.
Pamjet e publikuara sjellin në vëmendje pasuritë natyrore të Shqipërisë dhe potencialin e tyre për t’u promovuar si destinacione turistike, duke ruajtur karakterin dhe vlerat e tyre të veçanta.
Gryka e Vajës ndodhet rreth 120 metra mbi nivelin e detit, është afërsisht 1 kilometër e gjatë, rreth 200 metra e thellë. Shpatet e saj janë të pjerrëta dhe zona ka karakteristika të theksuara karstike, me vlera gjeologjike. E formuar nga gërryerja e përroit të Drojës mbi shkëmbinjtë gëlqerorë, gryka shquhet për kanionet e thepisura, format karstike dhe peizazhin e pasur natyror.
/e.xh/r.e/