E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Guvernatori Sejko: Ekonomia vijon rritjen, por inflacioni vazhdon të jetë i lartë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi sot se ndërsa ekonomia vijon rritjen, sërish inflacioni mbetet i lartë. Sipas tij, kriza energjitike dhe periudha post pandemike, kanë ndikuar në ecurinë e vendit, si dhe inflacionin e lartë. Sejko nënvizoi se inflacioni u rrit në periudhën korrik e gusht në nivelin 7.5%- 8 %, si dhe do të vazhdojë të jetë i lartë për të paktën edhe 2 tremujorët e ardhshëm.

“Inflacioni u rrit në muajt korrik e gusht 2022, duke shënuar vlerat respektive prej 7.5%. Ekonomia shqiptare vijoi rritjen në 6 muajt e parë, por ritmi i rritjes u ngadalësua në 3-mujorin e dytë. Inflacioni do të mbetet i lartë në dy 3-mujorët në vazhdim, por në fillim të 2023 do të fillojë ulja”,- deklaroi guvernatori Sejko.

Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin 2.25%;
të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën e interesit të depozitës njëditore, duke e çuar atë në nivelin 1.25%;
të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën e interesit të kredisë njëditore, duke e çuar atë në nivelin 3.25.
Në gjykimin e Këshillit, normalizimi gradual i qëndrimit të politikës monetare, nga pozicioni tejet stimulues i saj në trajtat aktuale në një pozicion më neutral, është një masë e domosdoshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit të çmimeve. Në këtë këndvështrim, ky normalizim i shërben stabilitetit të përgjithshëm ekonomik dhe financiar të vendit, rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë dhe përmirësimit të mirëqenies sociale.

Në konsistencë me komunikimet e kaluara dhe me parashikimet tona afatmesme, Këshilli Mbikëqyrës thekson se cikli normalizues i politikës monetare do të vijojë edhe në tremujorët në vazhdim. Në çdo rast, shpejtësia e normalizimit do të jetë në përputhje me të dhënat e reja dhe e mjaftueshme për të respektuar objektivin tonë afatmesëm të inflacionit.

Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes situatën për të vlerësuar në kohë implikimet për ecurinë e inflacionit dhe për të identifikuar në kohë masat e nevojshme për administrimin efektiv të saj.

/rtsh.al/

 

 

 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›