E Martë, 3 Nëntor 2026

Guvernatori Sejko analizon shkaqet e forcimit të lekut në raport me valutat e huaja, s’ndryshon norma bazë e interesit

Forcimi i lekut ndaj euros, nuk shihet si një efekt negativ në ekonominë shqiptare nga ana e Këshillit Mbikqyrës të Bankës. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, në një konferencë për shtyp, bëri të ditur se kursi i këmbimit të lekut ndaj euros ka ardhur në forcim të vazhdueshëm gjatë vitit 2023.

Sipas tij, në terma vjetorë, ky forcim regjistroi një vlerë mesatare prej 8.5% gjatë tremujorit të dytë dhe u përshpejtua më tej në muajin korrik, duke regjistruar vlerën 12.1%.

“Analizat tona sugjerojnë se kahu forcues i kursit të këmbimit është në linjë me përmirësimin e bilancit të shkëmbimeve ekonomike e financiare me jashtë, të ndikuara nga rritja e shpejtë e të ardhurave nga turizmi, nga reduktimi i vazhdueshëm i deficitit të llogarisë korrente, si dhe nga vlerat e larta të investimeve të huaja direkte.“- theksoi Sejko.  

Guvernatori vlerëson se nga ana tjetër kjo ka të bëjë edhe me rritjen e besimit të publikut në monedhën tonë kombëtare dhe reduktimin e primeve të rrezikut në tregjet e brendshme financiare.

“I parë në këtë prizëm, në përputhje edhe me përfitimet që ofron një regjim i lirë i kursit të këmbimit, kahu forcues i kursit të këmbimit ka ndihmuar në reduktimin e presioneve të huaja inflacioniste dhe ka mundësuar një normalizim më të ngadaltë të qëndrimit të politikës monetare. Megjithatë, shpejtësia e forcimit të kursit mbetet e lartë dhe luhatjet në tregun valutor janë rritur.“- theksoi Guvernatori.

Inflacioni

Inflacioni, sipas Sejkos, vijoi të shënojë rënie gjatë tremujorit të dytë dhe se paralelisht me të, aktiviteti ekonomik në vend ka ardhur në zgjerim. Sipas tij, bazuar në trendet aktuale dhe faktorët mbështetës të tyre, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë viteve në vazhdim, ndërsa inflacioni parashikohet të kthehet në objektiv gjatë mesit të vitit të ardhshëm.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës ka marrë vendimin që të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare.

“Inflacioni i çmimeve të konsumit regjistroi një vlerë mesatare prej 4.6% gjatë tremujorit të dytë, duke rënë me pothuaj dy pikë përqindjeje nga tremujori paraardhës. Kjo rënie pasqyroi normat më të ulëta të inflacionit të ushqimeve, dhe në veçanti të atyre të papërpunuara, dhe të inflacionit të mallrave të konsumit joushqimor, dhe në veçanti të atij të naftës. Nga ana tjetër, inflacioni i artikujve të tjerë të shportës së konsumit u shfaq më i qëndrueshëm.”- nënvizoi Guvernatori.

Në aspektin makroekonomik, sipas tij, ngadalësimi i ritmit të rritjes së çmimeve u ndikua, më së shumti, nga rënia e inflacionit të importuar, në pasqyrim të rënies së inflacionit në partnerët tanë tregtarë dhe forcimit të kursit të këmbimit.

Rritja ekonomike

Sejko informoi se pas rritjes me 2.7% në tremujorin e parë, të dhënat indirekte të disponuara sugjerojnë se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit, madje me norma më të larta se ato të tremujorit paraardhës.

Sipas tij, në vijim të trendeve të vëna re gjatë dy viteve të fundit, rritja ekonomike është udhëhequr nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve private, si dhe nga rritja e eksportit të shërbimeve, e në veçanti të ardhurave nga turizmi.

“Nga ana tjetër, rritja e importeve, rënia e eksportit të mallrave dhe konsolidimi fiskal kanë dhënë një ndikim frenues në rritje. Rritja e vazhdueshme e kërkesës për mallra e shërbime e ka shtyrë ekonominë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit. Ajo është pasqyruar në përmirësimin e gjendjes financiare të biznesit e të konsumatorit, në rritjen e punësimit, si dhe – përballë mungesave në tregun e punës – në rritjen e shpejtë të pagave e të kostove të prodhimit. Në veçanti, pagat në sektorin privat vijojnë të kenë një rritje relativisht të shpejtë, mesatarisht me 9.5% gjatë tremujorit të parë, ndërsa norma e papunësisë është pranë niveleve më të ulëta historike.’- theksoi Guvernatori i BSH-së.  

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

  • të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.00%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.00%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.00%

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›