E Enjte, 5 Nëntor 2026

HAPËSIRË – Një raketë kineze rrëzohet pas lëshimit aksidental

PEKIN, 1 korrik /ATSH-DPA/ – Një raketë hapësinore është rrëzuar në Kinë pasi u lëshua aksidentalisht gjatë një testimi.

Raketa “Tianlong-3”, në pronësi të kompanisë kineze të hapësirës ajrore “Space Pioneer”, u përplas në një kodër në provincën Henan të Kinës qendrore përpara se të shpërthente.

“Për shkak të dështimit strukturor të lidhjes midis trupit të raketës dhe platformës së provës, raketa e fazës së parë u nda nga platforma e lëshimit”, tha “Space Pioneer” në një deklaratë.

“Pas ngritjes, kompjuteri në bord u mbyll automatikisht dhe raketa ra në mal dhe trupi i saj u shpërbë”, shtoi ajo.

Kompania, e njohur gjithashtu si “Beijing Tianbing Technology”, tha se askush nuk u lëndua në aksident.

“Tianlong-3”, e konsideruar si një rival i mundshëm i “Falcon 9” të SpaceX, është një raketë e madhe transportuese, e krijuar për të ndihmuar në ndërtimin e rrjetit satelitor të internetit të Kinës./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›