E Hënë, 2 Nëntor 2026

HRW: Irani po e përdor ekzekutimin për t’i shtypur pakicat

Autoritetet iraniane janë duke i përdorur ekzekutimet si “mjet frike”, posaçërisht kundër pakicave, kundërshtarëve dhe shtetasve të huaj, tha të mërkurën organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW).

Kjo organizatë theksoi një rritje rishtazi të dënimeve kapitale kundër këtyre grupeve, duke nënvizuar se ka shkelje të pakontrolluar të proceseve gjyqësore në dhënien e dënimeve.

Sipas Grupit Iranian për të Drejtat e Njeriut, në 10 muajt e parë të këtij viti janë ekzekutuar të paktën 651 njerëz në Iran – prej të cilëve 166 vetëm në tetor.

HRW-ja e përmendi rastin e të burgosurës politike kurde, Varisheh Moradi, e cila u dënua me vdekje nga gjykata revolucionare e Iranit në Teheran, më 10 nëntor, nën akuzat për “kryengritje të armatosur kundër shtetit”.

Moradi, anëtare e Shoqatës së Grave të Lira të Kurdistanit Lindor, u arrestua në qytetin Sanandaj në Provincën e Kurdistanit në gusht të vitit të kaluar dhe u mbajt për pesë muaj në izolim në burgun famëkeq Evin, ku u torturua. Familja e saj nuk është lejuar ta vizitojë që nga maji, sipas grupit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›