Hakerat goditën dhe “Marubin”, Bedeni: Po punojmë për rikthimin dhe modernizimin e tij brenda vitit

Sulmet kibernetike që kanë goditur vendin nuk kanë kursyer as arkivin online të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”. Megjithatë, drejtori i muzeut, Luçjan Bedeni, bën të ditur se puna për rikthimin e tij po vijon dhe se arkivi pritet të jetë sërish i plotë dhe i aksesueshëm.
“Ne jemi duke punuar për ta risjellë në funksion arkivën online. Është diçka e cila, për fat të keq, si pasojë e sulmeve kibernetike që ka pësuar Shqipëria, nuk është në gjendjen e saj funksionale. Por ne jemi duke punuar për ta risjellë edhe më inovative arkivën online, gjë që shpresojmë ta arrijmë në fund të këtij viti, ose, nëse jo, në fillim të vitit 2027”, tha Bedeni.
Krahas rikthimit të arkivit online, muzeu po vijon punën me proceset që garantojnë mbrojtjen afatgjatë të fondit fotografik. Konservimi, katalogimi dhe digjitalizimi konsiderohen ndër hallkat më të rëndësishme për ruajtjen dhe administrimin e kësaj pasurie kombëtare.
“Ne vijojmë në mënyrë kronologjike të gjitha këto procese, pra digjitalizimin, katalogimin, konservimin dhe regjistrimin në databazat kombëtare. Këto janë procese që vijojnë, por mund të themi me siguri të plotë se deri në dhjetor të vitit 2027 do të përfundojë plotësisht konservimi i ri i arkivit, i cili ka nisur në vitin 2017. Ne do të jemi ndër të vetmet arkiva në Europë me konservim të nivelit më të lartë dhe me zero pikë të cenueshmërisë së sigurisë”, tha ai.
Koleksioni i Muzeut “Marubi” përmban mbi 500 mijë negativë në xham dhe celuloid. Ky fond e rendit institucionin ndër arkivat më të pasura dhe më të rëndësishme të fotografisë në Europën Juglindore.
Gazetar: M. Gjini
/rtsh.al/