Hamasi: Gati t’i dorëzojmë armët vetëm nëse krijohet një shtet i pavarur palestinez

Tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, ndërsa Hamasi ka rikonfirmuar qëndrimin e tij të palëkundur sa i përket dorëzimit të armëve.
Në një deklaratë, organizata tha se “do t’i lëshojë armët vetëm nëse rivendosen të drejtat kombëtare themelore, siç është krijimi i një shteti palestinez të pavarur dhe plotësisht sovran me Jerusalemin si kryeqytet”.
Negociatat indirekte midis Hamasit dhe Izraelit që synonin zbatimin e një armëpushimi 60-ditor në luftën e Gazës dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve përfunduan javën e kaluar pa asnjë rezultat.
Hamasi gjithashtu “dënoi” veprimin e të dërguarit special të SHBA-së, Steve Witkoff, i cili të premten zhvilloi një vizitë në një strukturë të drejtuar nga Fondi Humanitar i Gazës, ku shpërndahen ndihma humanitare për banorët e Gazës.
Hamasi e quajti vizitën e Witkoff “asgjë më shumë se një shfaqje teatrale e paramenduar që synonte të mashtronte opinionin publik.”
“Qeveria amerikane është bashkëfajtore në krimin e urisë dhe gjenocidit që po ndodh para syve të të gjithë botës”, shtoi organizata./vizionplus.tv