E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hamasi publikon video të dy pengjeve. Opozita në Izrael kërkon negociata, ministrat intensifikim të luftës

Ndërsa protestuesit në Izrael shënuan me demonstrata mbarëkombëtare 700 ditë që nga sulmi i 7 tetorit 2023, Hamasi publikoi një video të dy pengjeve të tjera izraelite.

Ata u identifikuan si Guy Gilboa Dalal dhe Alon Ohel, të dy të rrëmbyer më 7 tetor 2023. Pamjet tregojnë të riun Dalal duke i kërkuar kryeministrit izraelit të mos nisë sulmin e planifikuar ushtarak për të pushtuar Qytetin e Gazës. Ai më pas filmohet duke u takuar me pengun tjetër, ndërsa pretendohet se videoja është filmuar më 28 gusht.

Duke reaguar pas pamjeve, ligjvënësit e opozitës thanë se videot nënvizojnë nevojën për një marrëveshje për lirimin e 48 pengjeve në Gazë, të paktën 20 prej të cilëve mendohet se janë gjallë.

“Shenja e jetës që u publikua këtë mëngjes është një tjetër kujtesë e dhimbshme se Izraeli duhet të kthehet në negociata për të rikthyer robërit dhe të përpiqet të arrijë një marrëveshje,” tha lideri i opozitës Yair Lapid.

“Lufta më e drejtë në historinë e Izraelit është shndërruar në një luftë për mbijetesën e Netanyahu,” u shpreh Yair Golan kryetar i Partisë Demokratike.

Nga ana tjetër, ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, përsëriti kërkesën që Izraeli të pushtojë Gazën.

“Terrori psikologjik i Hamasit ka për qëllim të na bëjë të ndalojmë operacionin në Gazë,” tha ai. “Përgjigja e merituar: pushtim i plotë, shkatërrim total, inkurajim i migrimit masiv palestinez. Vetëm kështu fitojmë dhe vetëm kështu i kthejmë pengjet,” u shpreh Ben Gvir.

Më herët, ministri i Mbrojtjes, Izrael Katz, tha se Izraeli ka lëshuar njoftimin e parë zyrtar për evakuim për banorët e ndërtesave shumëkatëshe në qytetin e Gazës përpara një sulmi të afërt, duke paralajmëruar se operacionet e IDF-së atje do të intensifikohen derisa Hamasi të pranojë kushtet e Izraelit për një marrëveshje armëpushimi.

Të enjten ushtria izraelite njoftoi se ka marrë kontrollin e rreth 40% të qytetit të Gazës dhe do të vijojë të ndjekë planin për të vënë nën kontroll të plotë enklavën palestineze.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›