E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Hap dyert Muzeu Etnografik i Kavajës, pasurohet oferta turistike e qytetit

TIRANË, 14 nëntor/ATSH/ Muzeu Etnografik i Kavajës është rihapur pas punimeve të thelluara restauruese dhe muzeale të kryera nga programi EU4Culture i financuar nga BE, zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë.

Projekti dyvjeçar, me një buxhet që i kalon një milion euro, përfshiu restaurimin e godinës së dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019, si dhe ridizajnimin e muzeut. Vizitorët tani mund të eksplorojnë koleksionin përmes elementëve të rinj multimedialë si muri interaktiv, dhoma veshjeje virtuale, përvoja të realitetit virtual, rrëfime me video dhe audio. Këto risi plotësojnë prezantimet tradicionale të artefakteve duke rritur funksionin e tyre edukativ.

Godina, e ndërtuar në vitin 1800, u shndërrua në një muze në vitin 1971. Sot, muzeu përmban mbi  800 artefakte të llojeve të ndryshme, secili duke kontribuar në misionin e tij edukativ. Koleksioni u ofron vizitorëve një dritare autentike mbi jetën e përditshme të brezave të kaluar, duke dokumentuar rutinat e tyre, festat familjare dhe mbledhjet e komunitetit.

Kryetari i Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja, e vlerësoi këtë ngjarje si një lajm të shkëlqyer për Kavajën dhe Muzeun Etnografik si një thesar të çmuar të kujtesës dhe trashëgimisë tonë kulturore.

Muzeu u inaugurua në prani të ambasadorit të Misionit të BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, ndërsa Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit përfaqësohej nga zëvendësministrja Lira Pipa.

Kryebashkiaku Qosja siguroi se, të gjitha këto pasuri të paçmueshme të Kavajës, tashmë janë të garantuara nëpërmjet inventarizimit dhe digjitalizimit të të gjithë fondit trashëgimor të muzeut, duke hedhur dritë kësisoj, sot e përgjithmonë, mbi traditat e vyera të kësaj treve.

Kjo sipas kryebashkiakut të Kavajës, do të pasurojë ofertën turistike të ketij qyteti me një ndër “hot spotet” më të bukura të trashëgimisë kulturore të botës shqiptare.
Qosja shprehu mirënjohjen më të thellë ndaj Bashkimit Evropian e përfaqësuesve të tyre në Shqipëri, punonjësve të Bashkisë Kavajë si dhe të gjithë ekspertëve, specialistëve dhe nëpunësve që u përfshinë e punuan natë e ditë për të bërë të mundur realizimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm.

1 nga 10

/a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›