E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Hap dyert shkolla 9-vjeçare “Riza Shera”, Rama: Ambiente moderne e të mirëpajisura

TIRANË, 11 mars /ATSH/ Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Riza Shera” në Manzë të Durrësit janë rikthyer në klasa të reja, më të forta dhe më moderne, falë riparimit dhe përforcimit të plotë pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo shkollë si dhe nga kopshti për më të vegjlit, të cilat kanë hapur dyert për nxënësit dhe mësuesit.

Rama theksoi se ata janë rikthyer në ambientet e reja dhe klasa moderne e të mirëpajisura, të transformuara plotësisht, me standarde evropiane.

Falë investimit nga programi “EU4Schools”, kjo shkollë ofron standarde evropiane për 130 nxënës, stafin pedagogjik dhe 25 fëmijë të kopshtit. Ajo ka kushte moderne me 9 klasa, 2 laboratorë, dhomë mjeku e psikologu, 1 bibliotekë, një klasë burimore për nxënësit me AK, si dhe një fushë basketbolli e një pistë vrapi me tartan.

Shkolla “Riza Shera” është ndërtuar në vitin 2003, pas dëmit nga tërmeti iu nënshtrua një rikonstruksioni dhe një shtesë në pjesën e pasme të saj.

Palestra është ndërtuar me konstruksion metalik dhe e mbuluar nga sipër. Po ashtu është ndërtuar edhe një kënd lojërash që i shërben fëmijëve të kopshtit, si dhe ka edhe një ashensor për fëmijët me aftësi të kufizuar.

Programi “EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian me 75 milionë euro dhe zbatohet nga UNDP në Shqipëri në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.

Deri tani, në kuadër të këtij programi janë përfunduar 59 nga 63 objekte arsimore në 11 bashki të prekura nga tërmeti i 2019-ës, duke ndikuar në jetën e mbi 25 000 nxënësve, fëmijëve dhe mësuesve.

1 nga 11

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›