Hapen negociatat me BE për grup kapitullin e parë, Gjipali: Nëse Shqipëria bën “detyrat e shtëpisë”, do të kemi përfitime

Këtë vit, Procesi i Berlinit arriti në një pikë të rëndësishme në përvjetorin e tij të dhjetë. Kancelari gjerman Olaf Scholz organizoi një samit të posaçëm, ku morën pjesë liderët e 6 vendeve te Ballkanit Perëndimor. E pranishme ishte edhe presidentja e komisionit Europian Ursula von der Leyen.
Pas përfundimit te diskutimeve kryeministrat e vendeve të rajonit nënshkruan deklaratën për një plan veprimi për tregun e përbashkët rajonal, për vitet 2025-2028, si dhe marrëveshje për përmirësimin e qasjes në arsimin e lartë.
Për të diskutuar më shumë rreth këtij samiti si dhe për hapjen e negociatave me BE për grup kapitullin e pare, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me gazetarin Aleksandër Furxhi ishte drejtuesi i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, Gledis Gjipali.
Ky i fundit tha se për herë të parë janë takuar liderët kryesorë me njëri-tjetrin, dhe më pas janë ulur të gjithë bashkë në samite të përbashkëta, çka është shumë pozitive. Por, gjithashtu theksoi se nga ana tjetër shumë projekte që janë premtuar, janë vonuar të zbatohen.
Z.Gjipali u ndal edhe tek hapja e negociatat me BE për grup kapitullin e parë. Drejtuesi i Lëvizjes Evropiane deklaroi se nëse ne bëjmë detyrat e shtëpisë do të kemi dhe përfitime gjatë procesit
Intervista e plotë:
-Çfarë note mund t’i vihet Procesit të Berlinit në këtë 10 vjetor?
Gjipali: Është pak e vështirë në fakt t’i vihet një notë, për faktin që ka pasur zhvillime pozitive në fazën e parë. Ato zhvillime politike që zhbllokuan atë ngërç të krijuar midis vendeve të Ballkanit Perëndimorë, ku për herë të parë janë takuar liderët kryesorë me njëri-tjetrin,dhe më pas janë ulur të gjithë bashkë në samite të përbashkëta. Kjo do të merrte një notë pozitive, por kemi anën tjetër, atë të projekteve që që ndonëse u premtuan shumë, kanë zbatueshmëri të ulët apo të vonuara.
-Nesër në 15 tetor në Luksemburg, Shqipëria do të ulet në konferencën ndërqeveritare, BE-Shqipëri, ku zyrtarisht quhet hapja e negociatave. Ka vite që flitet për hapjen e negociatave, Komisioni Europian ka ndonëse 5 vite që e rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë, në çfarë etape është marrëdhënia BE- Shqipëri?
Gjipali: Tani mund të flasim zyrtarisht për nisjen e bisedimeve për anëtarësim, sepse me tryezën e nesërme do të kemi të dy palët që negociojnë apo diskutojnë më saktë. Tashmë do të kemi një dimension tjetër të marrëdhënies Shqipëri-BE, do të kemi monitorime shumë më të afërta, kontrolle të vazhdueshme, çështje që do të jenë në diskutim, do të ketë vazhdimisht reagime nga Bashkimi Europian.
-A varet ky integrim, kjo ecje drejt BE vetëm nga Shqipëria, pra përmbushja e kritereve dhe standardeve apo është edhe vullneti i palës tjetër, ku dhe aty dihet që shpesh herë Europa nuk është me një zë apo jo?
Gjipali: Finalizimi i gjithë procesit do varet edhe nga BE, sa ata janë gati të na pranojnë. Nëse të gjitha vendet do të jenë dakord, nuk do të kemi vetos si për fat të keq patën në dy vitet e fundit që vonuan datën e nisjes reale të negociatave. Por, kjo nuk do të thotë që detyrat e shtëpisë do të korrigjohen me një dorë më të lehtë, do të jenë vazhdimisht e më kërkues Bashkimi Europian, sa më shumë ecën procesi, aq më shumë kontroll do të ketë. Nëse ne bëjmë detyrat e shtëpisë dhe përfitime do të ketë gjatë procesit. Pra përfitimet nuk vinë vetëm kur anëtarësohesh, por edhe më përpara, pra gjatë procesit.
-Për çfarë përfitimesh bëhet fjalë?
Gjipali: Bëhet fjalë për programe të ndryshme që më parë ishin të mundshme veç për vendet anëtare. Pra, fonde, financime qoftë për bujqësinë, bizneset, ndërmarrjet e vogla e të mesme. Me miratimin e planit të rritjes do të ketë dhe mbështetje direkete në buxhetin e shtetit dhe çdo gjashte muaj do të ketë një rivlerësim të tyre,për të bërë disbursimin e radhës.
-Për integrimin e Shqipërisë në BE është folur që para 30 vjetësh. Cili do të ishte shembulli nga Europa Lindore më i shpejtë dhe ai më i zvarrituri, cilat janë ekstremet, cilat shtetet i kanë këto rekorde?
Gjipali:Për shtetet të cilat janë anëtarësuar do të thoja vendet e Europës Lindore dhe Qendrore që ecën shumë shpejt, në një periudhë shumë të shpejt arritën procesin e negociatave. Nga ana tjetër vendet si Rumania, Bullgaria që ju deshën më shumë kohë, por kemi edhe vende si Turqia që fatkeqësisht është larg anëtarësimit. Variantet janë të ndryshme, varet çfarë rruge do të zgjedhim ne. /vizionplus.tv