E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hapet Qendra Shëndetësore Verore pranë Kishës së Laçit, Rama: Do të jetë në shërbim të pelegrinëve dhe vizitorëve, si vendas ashtu edhe të huaj

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur hapjen e Qendrës Shëndetësore Verore pranë Kishës së Shna Ndout në Laç. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama theksoi se “kjo qendër, e hapur për herë të parë këtë sezon veror, do të jetë në shërbim të pelegrinëve dhe vizitorëve, si vendas ashtu edhe të huaj.”

Edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cilësoi këtë iniciativë si një dëshmi të kujdesit dhe përkujdesjes.

“Kujdes, siguri dhe ndihmë mjekësore aty ku besimi takohet me përkujdesjen,” u shpreh ajo, duke theksuar se qendra ofron staf mjekësor të përkushtuar, gati për të ofruar ndihmë për çdo nevojë shëndetësore.

Në një video të shpërndarë nga ministrja, një turist nga Kosova, i cili jeton në Amerikë, vlerësoi shërbimin falas.

“Është shumë i mirë, ju falënderoj që na e jepni falas. Ju uroj suksese,” tha ai, duke theksuar rëndësinë e këtij shërbimi për vizitorët.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›