Hapet grupkapitulli “Agjenda e Gjelbër”, Kos: Nevojitet konsensus i gjerë kombëtar për hapjen e grupkapitullit të fundit. Rama: Sfidë, mjedisi

Shqipëria ka çelur sot (16 shtator) 4 kapituj të grupkapitullit “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, duke e çuar në 24 numrin e grupkapitujve të hapur brenda 11 muajsh.
Ministrja daneze Marie Bjerre së bashku me Komisioneren e BE-së për Zgjerim Marta Kos gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama, kanë përgëzuar Shqipërinë për progresin e arritur, kryesisht në reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe harmonizimin me politikën e jashtme europiane, ndërsa deklaruan se brenda vitit 2027 do të hapen negociatat me Bashkimin Evropian.
Bjerre garantoi se Danimarka, si vendi që ka presidencën e radhës, do të përpiqet maksimalisht për të çuar përpara zgjerimin në BE.
“Konferenca e sotme dëshmoi se zgjerimi po ecën përpara dhe reformat e vërteta sjellin rezultate të vërteta.
Shqipëria ka bërë përpjekje të forta përgjatë viteve në reformën e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe harmonizimin e me politikën ë jashtme të BE. Shqipëria ka dëshmuar qartësisht se e sheh të ardhmen e saj në europë. Ju po jepni rezultate dhe meritoni që t’ju njihen. Sigurisht nuk keni ende në vijën e finishit, ka ende shumë punë që shtrihen para nesh, por sot është një gur kilometrik dhe drejtimi është qartë. Mbetet thelbësore që vendet kandidate të vazhdojë të bëjnë realizime të reformave dhe përmbushjen e kritereve të Kopenhagës. Shqipëri ju po bëni pikërisht këtë, vazhdoni me punën e mirë”, deklaroi ajo.
Nga ana e saj, komisionerja Kos teksa vlerësoi progresin pozitiv të arritur nga Shqipëria në kuadër të procesit të anëtarësimit, u shpreh se nevojitet një konsensus më i gjerë mes palëve për çeljen e grupkapitullit të fundit “Bujqësia dhe Kohezioni”.
Kos theksoi se një konsensus i gjerë kombëtar do të ndihmonte në fusha kritike si reforma në drejtësi, pavarësia gjyqësore, lufta ndaj korrupsionit, të drejtat e pronësisë, çështja e pakicave dhe liria e medias.
“Ka mbetur edhe një grupkapitull dhe s’kam dyshim që do e bëjmë këtë së shpejti. Presidenca daneze e vendet anëtare janë të përkushtuara që të shënojnë progres në momentin që përmbushen të gjitha kriteret.
Siç e shihni ka një trekëndësh të fortë që mbështet procesin e zgjerimit në tërësi “Më shpejt, më lartë, më fortë”.
Ky rezultat është rrjedhojë e punës së autoriteteve shqiptare, që kanë çuar përpara reformat sidomos gjatë këtij viti pavarësisht zgjedhjeve që janë zhvilluar.
Vendi juaj po tregon se ndryshimi pozitiv është I mundur dhe se BE e shpërblen këtë ndryshim pozitiv. Vazhdoni me këtë ritëm duke u siguruar që të përfshini Parlamentin, shoqërinë civile dhe sektorin privat. Kjo është e rëndësishme që të nisim të mbyllim kapitujt që të realizojmë ambicien tuaj për t’i përmbyllur ato brenda 2027-ës”, tha Kos.
Rama: Danimarka, një nga mbështetëset më të mëdha të integrimit në BE
Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama vuri në dukje se Danimarka e cila kryeson presidencën e Bashkimit Evropian është një nga vendet që mbështet plotësisht integrimin në Bashkimin Evropian.
“Danimarka ka shumë për të bërë dhe ministrja këtu ka shumë për të bërë, për të vijuar me detyrimet e presidencës. Dua të them se ishte kënaqësi kur pamë barometrin, të cilin e përmendi Marta, ku populli danez është mes mbështetësve më të mëdhenj të anëtarësimit tonë. Të kesh nga jonë vikingët është diçka që të jep shumë siguri. Na duhet ta përhapim këtë në mbarë Europën në mënyrë që askush të mos guxojë të na bllokojë rrugën sepse midis nesh dhe vikingëve është një sipërmarrje e frikshme. Ashtu siç po diskutonim gjatë konferencës tashmë kemi një ministri të dedikuar për mjedisin. Ky është rezultat edhe një lloj trysnie nga kanalet e Bashkimit Evropian për ta bërë një gjë të tillë. Do të mbështetemi te dija e të gjithë Europës”, tha kryeministri Rama.
E pyetur nga gazetarja e RTSH-së, Denada Shkodrani se cila është sfida më e madhe në 2 vitet në vijim, kryeministri Edi Rama u shpreh se “Bashkimi Evropian është bekim për vende si ne në rajon. Përmes BE-së ne mund të marrim të gjithë dijen për të ndërtuar institucionet dhe për të ndërtuar shtetin që ofron për qytetarët e vet përtej individualiteve.”
Sipas Ramës, Bashkimi Evropian e ka ndihmuar Shqipërinë që të çojë përpara procesin e anëtarësimit. Ndërsa theksoi se mjedisi mbetet një sfidë e madhe, madje edhe për vetë vendet që janë aktualisht anëtare të BE-së.
“Në këtë proces BE-ja na ka ndihmuar që ne të rishpkim veten. Këto 2 vite sfida do të jetë të rishpikim veten duke u afruar gjithmonë e më pranë në mënyrën tonë të të qenit, me kërkesat që janë shumë të mëdha dhe janë shumë sfiduese. Mjedisi sot është një çështje mjaft sfiduese, kërkesat sot janë edhe për shtetet anëtare për të ruajtur standardet. Është një proces i të mësuarit për të gjithë ne”, theksoi Rama.
/rtsh.al/