E Martë, 3 Nëntor 2026

Hapi pastiçeri në Durrës me kursimet e emigracionit, Eriona Sopi: Mundësitë janë të shumta, mjafton dëshira dhe vullneti

TIRANË, 2 prill/ATSH/ Eriona Sopi pas 15 vitesh emigrim në Itali së bashku me bashkëshortin e saj vendosën të kthehen në Durrës dhe të hapin një pastiçeri me kursimet e mbledhura jashtë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale dëshminë e Erionës, e cila vazhdon të zgjerojë biznesin e saj në Durrës.

Eriona shpreh bindjen se mundësitë për të ecur përpara këtu janë të mëdha.

“Pas 15 vitesh në Itali unë edhe im shoq kemi vendosur të kthehemi në qytetin tonë Durrës. Gjithmonë me idenë se guri i rëndë në vend të vetë, vendosëm që biznesin ta zhvillojmë edhe këtu. Me shumë punë kemi arritur ta çojmë përpara nga një pastiçeri e vogël fare, shkallë-shkallë jemi ngritur dhe kemi arritur në një biznes të madh”, u shpreh Eriona.

Sipas saj, zgjedhja më e vështirë është largimi nga vendi pasi këtu çdo njeri mund t’ia arrijë qëllimit.

“Sot vazhdojmë gjithmonë e më shumë të zgjerohemi e të ecim sa më lart. Mendoj se mundësitë për të ecur përpara janë të shumta edhe këtu mjafton të jetë dëshira dhe vullneti. Unë mendoj se zgjedhja më e vështirë është ajo që të largohemi. Këtu çdo njeri mund të gjejë vetveten, mjafton të kërkojë dhe besoj se çdokush mund t’ja arrijë qëllimit”, tha ajo. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›