Hapja e kutive të votimit, nis protesta e opozitës në Lushnje
LUSHNJE- Ka nisur në Lushnje protesta e radhës për hapjen e kutive dhe transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Kjo protestë vjen pas asaj të Tiranës, Beratit e Shkodrës, qarqe ku socialistët pretendojnë manipunimin gjatë numërimit dhe vjedhjen e mandateve.
Gjinushi: Populli votoi largimin e Berishës
"Vota e shqiptarëve ishte për largimin e Berishës ndaj ai duhet të ikë". Kështu është shprehur gjatë fjalës në protestën e Lushnjes, kreu i PSD-së Skënder Gjinushi, duke theksuar se më 28 qershor shqiptarët votuan për ndryshimin e ofruar nga e majta dhe largimin e Berishës. "Edhe ata që votuan për LSI-në, votuan për të majtën jo për t'u bashkuar me Berishën dhe të largoheshin persona nga puna"- tha ai. Sipas Gjinushit, me këto zgjedhje u cenua besimi i popullit, gjë që sipas tij e ka faktuar edhe raporti i OSBE/ODIHR-it.
Ruçi: Berisha ta dijë, se ky është vetëm fillimi
Sipas kryetarit të Asamblesë Kombëtare të PS-së Gramoz Ruçi gjithë ata që protestojnë janë pa ngjyrime partiake, pasi kauza që mbron PS-ja është kauzë e shqiptarëve pa ngjyrime partiake. Ai ka deklaruar se të gjithë shqiptarët kanë nevojë për votën e lirë, për lirinë e punës dhe të pronës dhe janë në luftë me krimin. "I bëjmë thirrje Berishës që ky është vetëm fillimi sepse fundi do të jetë shumë i hidhur për të, por i ëmbël për të gjithë shqiptarët"- tha ai.
PS-ja arriti të siguronte mandatin e 9-të në Fier, pas ankimimit dhe pas rinumërimit që bëri vetë KQZ-ja, pas zgjedhjeve të 28 qershorit.
Deri tani, hapja e kutive është kërkuar në Tiranë, në Berat, në Shkodër. Ndërkohë lideri i PS-se, Edi Rama ka njoftuar edhe protestën madhështore në Tiranë më 20 Nentor.
*****
Rama: Ka dështuar shteti, jemi në krizë
TIRANË- Shqipëria është në krizë të gjithanshme, ndërkohë që shteti ka dështuar me politikat sociale. Kështu është shprehur kreu i PS-së Edi Rama përmes një konference për shtyp, ku ka theksuar se përpos krizës financiare që prek gjithnjë e më shumë njerëzit, vendi përballet edhe me krizën morale të qeverisjes.
"Shqiptarët po përballen me degradimin çdo ditë e më shumë, kriza financiare që i prek çdo ditë është dëshmi e këtij degradimi. Këto ditë opinioni është ballafaquar me ngjarje çnjerëzore, njerëzit trajtohen si në mesjetë për shkak të varfërisë. Pamjet shokuese në Dibër dhe Fier tregojnë jo vetëm shkallen e varfërisë por dështimin e plotë të strukturave të shtetit"-tha Rama.
Sipas tij, rindarja në mënyrë abuzive e pronave për interes të familjes qeveritare dhe klientëve të saj, strehimi në qeveri i përgjegjësve për shpërthimin e Gërdecit, përplasja e dy policive në Fier, janë fakte absurde për një vend që po troket për të marrë statusin e kandidatit në BE,
Më tej lideri socialist ka përsëritur bindjen opozitare për ta çuar deri në fund betejën për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Protesta e radhës sipas tij do të jetë në Lushnje.