Hapja e urës së Ibrit, Kearns reagon ndaj BE-së: Ndëshkimi i Kosovës tregon se procesi është i padrejtë

Deputetja britanike Alicia Kearns ka folur me tone të forta kundrejt qëndrimit të BE-së në lidhje me Kosovën për hapjen e urës së Ibrit.
Me anë të një postimi në rrjetin social X, Kearns u shpreh se, ndëshkimi i Kosovës për hapjen e një ure, duke injoruar Banjskën, sugjeron se vetë procesi është thellësisht i padrejtë dhe sipas saj, ka nevojë për reforma urgjente.
“Të ndëshkosh Kosovën për hapjen e një ure, duke injoruar Banjskën, sugjeron se vetë procesi është thellësisht i padrejtë dhe ka nevojë për reforma urgjente”, shkruan Kearns.
Sipas saj, ura do duhej të hapej që në vitin 2017 sipas marrëveshjes së 2015-ës.
Po ashtu, ajo theksoi se BE ende nuk ka ndërmarrë veprime kuptimplota kundrejt Serbisë, pavarësisht provave të shumta që lidhin Milan Radoiqiç dhe sulmuesit e Banjskës me shtetin serb
“Kjo është rënë dakord në vitin 2015 me datën e zbatimit në vitin 2017 – pse është e ndryshme nga marrëveshjet e tjera të mëparshme që BE-ja e detyron Kosovën të mbajë. Qeveria e re e Mbretërisë së Bashkuar dhe ekipi i ri i BE-së duhet të bëjnë të qartë se mbështesin ndërtimin e urave në Kosovë, jo bllokimet e rrugëve dhe ndarjen”, deklaroi ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaron se hapja e urës nuk është kundër askujt dhe aq më pak kundër aleatëve të Kosovës.
Por Serbia e sheh hapjen e kësaj ure si një provokim për luftë. Mes deklaratave të tensionuara që vijnë nga Prishtina dhe Beogradi për hapjen e urës së Ibrit, ka reaguar edhe BE, e cila ka paralajmëruar shtimin e masave ndëshkuese për Kosovën në rast se vepron në mënyrë të njëanshme në veri të vendit.
/rtsh.al/