E Diel, 1 Nëntor 2026

Haradinaj: Ligji është për UÇK-në, ata që e dhanë jetën nuk e ndërlidhën me diçka tjetër

Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Ligji për Dhomat e Specializuara është çështje që, sipas tij, u takon të gjithëve dhe nuk duhet të ndërlidhet me çështje të tjera politike.

Haradinaj, në një konferencë për media, ka thënë se vendimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbën, sipas tij, një ofendim për Kosovën, popullin dhe luftën çlirimtare.

“Ky ligj është i të gjithëve. Janë dy ofendime që po ndodhin radhazi, i pari është vendimi dënues për udhëheqësit e UÇK-së, është ofendim për Kosovë, për popullin e Kosovës, për luftën tonë të drejtë. Poashtu është ofendim për çdo shqiptar të vërtetë, për çdo patriot, këtë ligj me ndërlidhë me çkado qoftë tjetër”, u shpreh ai.

Ai ka kritikuar ndërlidhjen e Ligjit për UÇK-në me çështje të tjera politike, duke thënë se edhe kjo është “tepër ofenduese”.

“Njerëzit kur e kanë dhënë jetën, nuk e kanë ndërlidhur  me diçka tjetër, njerëzit që po vuajnë në burgje atje, nuk e kanë ndërlidhur jetën e vet me asgjë tjetër, është tepër ofenduese të bëhen lojëra, të bëhen pazare, kurthe e me u mundu me zën njëri-tjetrin në faj me Ligjin për UÇK-në”.

“Ky ligj është për UÇK-në, nuk po bëhet as vetëm për ata katër që janë atje, por po bëhet për të vertetën tonë historike, për luftën tonë të shenjtë”, deklaroi Haradinaj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›