E Diel, 1 Nëntor 2026

Harito: Akuzat e Berishës qesharake, Ramën e kam fis shumë të largët

haritoMinistrja e re për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, i ka cilësuar si qesharake akuzat e kryeministrit në ikje, Sali Berisha, se ka ecur në karrierë falë lidhjeve farefisnore me Edi Ramë. Ajo ka thënë se lidhja me Ramën është shumë e largët dhe se deri në vitin 1992, nuk e njihte fare.

Zotin Rama e kam fis të largët, të gjashtë ose të shtatë. Madje, në këtë nivel, besoj se askush nuk i njeh më kushërinjtë. Por, nga ana e fisit të nënës sime, dikush ka qenë i pasionuar pas gjenealogjisë dhe e ka ndjekur e krijuar pemën e familjes deri në vitin 1560, shprehet Harito në një intervistë për Panorama.

Sipas saj, në vend që të merrej me akuza qesharake, Berisha do të bënte mirë të pranonte me dinjitet humbjen e 23 qershorit.

Ajo ndërkohë ka folur për karrierën e saj në Francë dhe si vendosi të kthehej në Shqipëri.

Së pari, diçka më konkrete për karrierën time, e cila kishte një komponent të vogël akademik, pra mësimdhënie në universitet. Pjesa kryesore e saj është karriera menaxheriale në një korporatë të madhe, ORANGE, operatori i dytë në Europë. Për ti vendosur gjërat në kontekst, ORANGE ka një xhiro vjetore rreth 50 miliardë euro, mbi dyfishin e PBB së Shqipërisë. Karriera brenda një kompanie të këtyre përmasave dhe në një vend si Franca, me konkurrencë shumë të lartë në cilësinë e kuadrove që prodhon, kërkon shumë punë dhe një sërë aftësish. Gjithë kjo hyrje për të shpjeguar se angazhimi në politikën aktive në Shqipëri është vërtet diçka e re për mua, por konteksti ku kam jetuar më ka përgatitur për të përballuar vështirësitë. Për tu kthyer te pyetja juaj konkrete, asnjë zgjedhje në jetë nuk është e lehtë. Çdo herë që zgjedh diçka detyrohesh të lësh mënjanë diçka tjetër. Çdo herë që ndërron profesion ose vend, diçka do të sakrifikosh e të tjera sfida të presin. Edhe kjo zgjedhje ka vështirësitë e veta, por është edhe një fat dhe besim i madh për të kontribuar në nivel të lartë për Shqipërinë e gjeneratës tjetër, ka thënë Harito.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›