E Diel, 1 Nëntor 2026

Harmonia fetare në themel të rilindjes së kombit shqiptar

Në pjesën më të madhe të vendeve ballkanike feja luajti një rol të rëndësishëm në procesin e krijimit të identitetit kombëtar. Thirrja për fe e atdhe gjëmonte në fushat e betejave, duke shtuar vrullin e luftëtarëve që sulmonin ose mbroheshin. Veçse, këto fjalë magjike nuk mund të përdoreshin nga shqiptarët që praktikonin tri fe të ndryshme. Në prag të lëvizjeve kombëtare, në rastin shqiptar, pritej që feja jo vetëm të mos luante një rol mobilizues, por të përbënte një pengesë serioze për njësimin kombëtar. Ndarja e shqiptarëve në disa fe, shihej edhe si një mundësi më tepër e depërtimit të ndikimit përçarës të të huajve.
Për këto arsye rilindësit tanë të urtë, ndryshe nga të gjitha lëvizjet e tjera ballkanike, e ideuan dhe e zhvilluan Lëvizjen Kombëtare Shqiptare si një lëvizje në konkurrencë me fetë, si një alternativë ndaj feve. Kështu shpjegohet edhe hyjnizimi që i bëhej shqiptarizmit, si feja e vërtetë e shqiptarëve. Madje pati mendime që si fe e shqiptarëve të shpallej bektashizmi ose, sipas shembullit të arbëreshëve të Italisë, të ktheheshin ortodoksët shqiptarë në të krishterë uniatë ose të konvertoheshin të gjithë shqiptarët në protestantë.
Veçse, Naum Veqilharxhi, njohës dhe studiues i vëmendshëm i kombit shqiptar, qysh në vitin 1846 përsëriste pa u lodhur se kombi shqiptar, i përbërë nga myslimanë, ortodoksë dhe katolikë, është një trup homogjen, është esenca, kurse fetë janë veçori të fituara më vonë dhe si të tilla ato janë të ndryshueshme. Në këtë mënyrë ai kishte zbuluar një element specifik të kombit shqiptar, përparësinë e kombit mbi fetë, që qëndron në themel të harmonisë fetare ose bashkëjetesës shqiptare, një fenomen tipik shqiptar, dëshmues i homogjenizimit të kahershëm dhe kohezionit të brendshëm kombëtar.
Harmonia fetare është një realitet historik që ka luajtur një rol të rëndësishëm në krijimin e komunikimit dhe lidhjeve organike në mes shqiptarëve me fe të ndryshme. Konstatimin se “në luftë kundër forcave të huaja, fetë pushonin së qeni një pretekst për shtimin e përçarjes së brendshme”, e vërtetojnë katër luftërat e fundit kundër Perandorisë Otomane që kanë bërë myslimanët shqiptarë, të vetmit në Rumeli, së bashku me bashkatdhetarët e tyre të krishterë nën udhëheqjen e Ali Pashë Tepelenës, Zenel Gjolekës, pas Lidhjes së Prizrenit si dhe në vigjilje të Pavarësisë.
Por, produkti më i qenësishëm i harmonisë fetare ose i bashkëjetesës shqiptare, është pa dyshim rilindja e kombit shqiptar, që historia e provoi si një aliazh më të fortë dhe më rezistent se elementët që e përbëjnë.
SHQIPTARET DHE FETE E TYRE
Krishtërimi është feja e parë që përqafuan shqiptarët pas paganizmit. Krishtërimin nuk e përhapën misionarët grekë, latinë e aq më pak sllavë. Ai hodhi rrënjë, nga apostujt dhe dishepujt e tyre që në periudhën apostolike. “Shën Pali shprehimisht thotë: Kështu, prej Jerusalemit e përqark dhe deri në Ilirik përhapa Ungjillin e Krishtit... Shën Pali, gjatë udhëtimit të tretë misionarik të tij, në vitet ‘53-‘58, ka qëndruar edhe në Durrës” (Z.Mirdita, Gjashtë shekujt e parë të krishtenizmit në trevat iliro-shqiptare, te “Krishterimi ndër shqiptarë”, 2000, f. 35).
Krishtërimi, edhe pse u paraqit si fuqi shpëtimtare morale me thënien e famshme ‘duaje të afërmin tënd si vetveten’, edhe pse peshkopët e parë kristianë u dërguan në Iliri që në shek.II, feja e re monoteiste nuk gjeti një hapësirë të përshtatshme për t’u përhapur uniformisht në të gjitha trojet e banuara nga ilirët. Në fiset ilire, si në jug ashtu edhe në veri, ku sundonte tradita e lidhjeve të gjakut dhe e sistemit juridik që bazohej mbi të, ishte disi i vështirë përvetësimi i sistemit fetaro-juridik kristian që predikonte një fe monoteiste dhe me një zot të vetëm si krijues të njerëzimit. Në atë kohë kultura ilire vazhdonte të ishte materiale dhe e lidhur fort me natyrën, kurse struktura fetare ndryshonte shumë nga besimet fetare helene dhe romake. Tradita e solidaritetit brenda fisit që bazohej mbi një themel biologjik, mbi lidhjet e gjakut, kishte hyjnizuar në sytë e ilirëve familjen dhe fisin, si institucione që duheshin ruajtur me çdo mënyrë.
Besimi fetar i shqiptarëve ishte dhe vazhdon të jetë specifik, mbasi ai trashëgoi dhe ruajti një pjesë të konsiderueshme nga besimet dhe ritet tradicionale pagane. Kultet e shenjtorëve të krishterë u pleksën me shumë motive pagane të cilat u përcollën edhe në ditët e sotme. Edhe dita e verës që festohet nga të gjithë banorët e qytetit të Elbasanit, ose flijimi i një kafshe sa herë ndërtohet një shtëpi e re, apo dita e Shën Gjergjit, vëllamëria, syri i keq, simboli i diellit dhe hënës, besimet ndër qeniet e shumta mitologjike e demonologjike, të cilat feja s’i ka pranuar asnjëherë, e kanë origjinën nga periudha pagane dhe disa prej tyre mbahen të gjalla edhe sot. Doket dhe zakonet e stërlashta, normat dhe ligjet kanunore të maleve tona, të cilat drejtonin dhe rregullonin jetën dhe veprimtarinë e vendit, janë në origjinë të një lloj plogështie dhe indiferentizmi ndaj jetës fetare të shqiptarëve. Janë pikërisht këto raporte të shqiptarëve me fetë, që Edit Durham (Mary Edith Duram, 1863-1944), e quajtur edhe ‘Mbretëresha e malësorëve shqiptarë’, i zbuloi vetë dhe shkroi se: “shqiptarët, si komb, për çudi, s’duan t’ia dinë për fenë. Krishtërimi nuk u ngulit thellë te shqiptarët, qoftë në veri, qoftë në jug”. Kur flet për forcën e zakonit të fisit, ajo zgjatet edhe më tej: “Malësorët kanë afro pesëmbëdhjetë shekuj që e njohin krishtërimin, por zakonet e fisit janë ende më të forta se kanuni i kishës” (E. Durhan, “Brenga e Ballkanit”,1990, f. 45,). “Kalimi i trashëgimisë pagane në besimin e shqiptarëve i jepte krishtërimit shqiptar tiparet e një krishtërimi popullor, jo doktrinor” (Historia e popullit shqiptar, I, 2002, f. 340).
Duke qenë në një pozicion të veçantë gjeografik, ku puqeshin dhe përplaseshin dy perceptime të ndryshme të krishtërimit, perëndimor dhe ai lindor, Shqipëria u bë vendi tipik i dukurive të tilla kishtare, si apostazitë (braktisje e fesë dhe e jetës kristiane), konvertimet dhe herezitë. Duket se shqiptarët nuk e gjenin veten e tyre te ortodoksia tradicionale deri sa përqafuan në masë “Herezinë” e Bogomilit, që i quante institucionin e kishës dhe atë të shtetit si krijesa të Satanait. Kjo lëvizje separatiste që tronditi kishën zyrtare të Kostandinopolit, por edhe të Romës për katër shekuj me radhë (shek.X-shek.XIV), kishte në Shqipëri vatrën e saj kryesore. Papët e Romës ankoheshin vazhdimisht mbi ritet dhe praktikat “skizmatike” që mbizotëronin tek besimtarët vendas, kurse një udhëtar i huaj, në vitin 1308, do t’i karakterizonte shqiptarët si, as katolikë e as ortodoksë të vërtetë (P. Xhufi, Krishtërimi roman në Shqipëri, te Krishtërimi ndër shqiptarë, 2000, f. 89). Kishte edhe nga ata si Karl Topia dhe Gjon Kastrioti, princërit e fundit shqiptarë të Arbërit, që mbajtën një profil të papërcaktuar fetar (po aty, f. 95).
Edhe faktorët gjeografikë, si largësia e vendbanimeve nga njëri-tjetri e nga kisha, nuk i nxitën shqiptarët që banonin në malësi të përqafonin fetë e reja. Për më tepër, dihet që në periudhën nga shekulli XII deri në shekullin XIV kur në tokat shqiptare gjendeshin 20 peshkopata, ceremonitë fetare kryheshin gjithmonë në gjuhë të huaja (greqisht ose latinisht), të pakuptueshme nga besimtarët shqiptarë. Besoj se këta faktorë janë të mjaftueshëm për të argumentuar se pse besimet katolike dhe ortodokse te shqiptarët ishin të sipërfaqshme dhe për pasojë lehtësisht të ndryshueshme.
Kur otomanët arritën në Shqipëri, si pasojë e skizmës së vitit 1054, gjetën veriun katolik dhe jugun ortodoks. Ata u përpoqën të përhapnin me forcë fenë islame, meqenëse Shqipërinë e pushtuan pas luftërave të përgjakshme që zgjatën gati një shekull (nga viti 1385 kur Balsha II u thye pranë lumit të Vjosës, deri në vitin 1478 kur Shkodra dhe gjithë Shqipëria ranë në duart e tyre).
Sidoqoftë feja e re nuk u përhap në mënyrë të njëjtë nga veriu në jug, si edhe nga zonat fushore në ato malore. “Gjatë shekullit XVI feja e pushtuesit nuk u përqafua nga katolikët shqiptarë. Dokumentet e kësaj periudhe tregojnë se popullata katolike ishte në raport 11/1 me myslimanët” (S. Skendi, “Zgjimi Kombëtar Shqiptar”, 2000, f. 20). Në shek.XVII filloi konvertimi veçanërisht në qytetet e mëdha të veriut dhe popullsia katolike filloi të zvogëlohet. Shumica e të konvertuarve qenë burrat, ndërsa shumica e grave vazhdonin të mbanin fenë e tyre katolike, duke qenë në këtë mënyrë një faktor i rëndësishëm në krijimin e marrëdhënieve të mira midis anëtarëve të dy feve në përgjithësi.
Për kalimin e shpejtë në fenë e islamit, shqiptarët u shtynë veçanërisht nga dëshira për t’i shpëtuar pagimit të taksave, si edhe nga prirja për të fituar privilegje. Një faktor i rëndësishëm që nuk luajti rolin e duhur për t’i mbajtur të lidhur malësorët e Shqipërisë së Veriut me fenë katolike, ishte edhe numri i vogël i klerikëve të aftë për të plotësuar nevojat shpirtërore të popullsisë, dërgimi në Shqipëri të klerikëve të huaj, midis të cilëve edhe sllavë, që nuk predikonin në gjuhën shqipe, klerikë pa arsim fetar, ose mungesa e tyre. Në vitin 1602, në një letër dërguar Papës, shqiptarët katolikë paralajmëronin edhe mundësinë e shkëputjes nga Roma, nëse gjendja nuk do të përmirësohej. Gjatë shek.XVI-XVIII, kur filloi procesi i kthimit të kishave në xhami, u ndaluan gjithashtu të ndërtoheshin kisha të reja. Në raste të tjera autoritetet osmane nuk lejonin zhvillimin e ceremonive fetare kristiane, kurse forcat ushtarake osmane shpesh kryenin bastisje dhe grabitje të hapura ndaj besimtarëve të thjeshtë katolikë dhe barinjve të tyre (P. Thëngjilli, Katolicizmi në Shqipëri përballë shtetit osman, te “Krishtërimi ndër shqiptarë”, 2000, f. 228, 229). Vlen të theksohet se shumica e katolikëve pranuan fenë e pushtuesve veçanërisht pas reprezaljeve që pasuan luftën turko-veneciane (1645) dhe turko-austriake (1699), në të cilat morën pjesë aktive edhe shqiptarët të nxitur nga Kleri i lartë Katolik. Në shek. XVIII presioni ndaj katolikëve u zbut disi edhe si pasojë e traktatit turko-austriak të Sistovës (1791), që konfirmoi privilegjet e austro-hungarezëve mbi katolikët e perandorisë osmane. Megjithatë kalimi në fenë islame vazhdoi edhe gjatë shek.XVIII, kryesisht për shkaqe tribale. Shqiptarët e Kosovës përqafuan fenë islame edhe për t’i pasur otomanët si aleatë në luftërat e tyre të pafundme ndaj agresorëve gjakatarë serbë, për të siguruar mbijetesën e tyre.
Banorët e zonave fushore të Shqipërisë qendrore u konvertuan më shpejt në krahasim me malësorët e viseve të veriut. Banorët e këtyre fushave që kanë përbërë prej kohësh brezin e kufirit midis katolicizmit dhe ortodoksisë, të ndikuar nga luhatjet fetare që pasonin pushtimet e dendura, ishin më të prekshëm nga propaganda islamizuese. Milan Shuflay, albanologu i famshëm kroat dhe miku i sinqertë i shqiptarëve, në librin e tij “Serbët dhe shqiptarët”, ka shkruar: “Pesëkëndëshi i madh përreth Durrësit, së bashku me udhët e tij, në këndet Lezhë-Durrës, Ohër-Berat-Vlorë, për sa u përket ndryshimeve të pushtetit politik mbante rekordin e të gjitha vendeve që lageshin nga deti Mesdhe. Fushat e Shqipërisë së Mesme, gjatë 4 shekujve (992-1392) ndërruan, sipas numërimit që bëra vetë, 32 herë zot. Shumë herë ishin bullgarë (989-987), normanë (1042-1085), venedikas (1205-1213, 1241, 1392-1501), epirotë (1213-1258, 1266-1272), hofenstraufas (1258-1266), anzhuinë (1271-1382), serbë (1295, 1343, 1385) e shqiptarë (1368, 1386-1392)” (M. Shuflay, “Serbët dhe shqiptarët”, 2000, f. 117-118).
Në Shqipërinë e Jugut kushtet ishin të ndryshme në krahasim me pjesën tjetër të vendit. Pas rënies së Kostandinopojës (1453), Mehmeti II kërkoi besnikërinë e të krishterëve ortodoksë në Ballkan, duke e shpallur veten protektor të kishës ortodokse dhe duke i kthyer Patrikut Ekumenik të drejtat dhe privilegjet e vjetra. Gjatë shekujve të parë të pushtimit, otomanët, në kulmin e fuqisë së tyre, nuk e panë të arsyeshme përdorimin e forcës për apostazi. Kur ortodoksi shqiptar përqafoi fenë islame, ai e bëri këtë për po ato arsye interesi siç kishte bërë edhe katoliku i veriut. Faktorë të tjerë që shtynë këtë proces ishin edhe injoranca dhe analfabetizmi i klerit, mosinteresimi i klerit të lartë, abuzimet e klerikëve që kërkonin paturpësisht të pasuroheshin në kurriz të popullsisë, mungesa e Ungjillit në shqip dhe mungesa e një kishe kombëtare shqiptare.
Shqiptarët, si në jug ashtu edhe në veri, e kanë pasur për zemër proverbin romak “ku është shpata aty është feja”, zbatimi i të cilit u ka siguruar mbijetesën dhe karrierën politike e ushtarake. Në islamizimin e 2/3 të shqiptarëve një rol të konsiderueshëm ka luajtur edhe struktura fisnore e organizimit social të shqiptarëve. Në grupimet fisnore, fjala e kreut të fisit ishte ligj për të gjithë anëtarët e tij. Anëtarët e fisit respektonin preferencën fetare të kreut të fisit, duke besuar që ajo ishte edhe në të mirën e tyre. Pra, përqafimi i islamit nga kreu i fisit, bënte të mundur kalimin në fenë islame të të gjithë anëtarëve të fisit. Ndërsa fshatarët serbë ose grekë, që nuk ishin të lidhur në këtë mënyrë me prijësit e tyre, mbetën të krishterë edhe kur këta të fundit zgjidhnin islamin.
HARMONIA NDER SHQIPTARET ME FE TE NDRYSHME – FAKTE
Në Shqipëri, marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve, si rregull, nuk u karakterizuan nga urrejtja e fanatizmit fetar, sidomos në shtresat e gjera të popullsisë. Ky fenomen, që në të vërtetë ka nisur shumë herët, me marrëdhëniet midis katolikëve dhe ortodoksëve, jo vetëm i ruajti, por edhe i forcoi tiparet e veta edhe pas përhapjes së islamizmit, sepse vazhduan të veprojnë të njëjtët faktorë të brendshëm njësues, si: Bashkësia territoriale, gjuhësore, historike, si edhe trashëgimia e përbashkët etnike e shpirtërore.
Rëndom ky fenomen specifik i popullit shqiptar quhet harmoni ose tolerancë fetare. Veçse, në këto forma, nuk del në pah protagonisti kryesor i kësaj mrekullie shqiptare, që është vetë populli shqiptar. Në të vërtetë, është vetëm shprehja ‘bashkëjetesa shqiptare’, ajo që e vendos kombin tonë në një kuadër të njësuar, ku, edhe pse kombinohen identitete të ndryshme fetare, ndërthuren prirje të përbashkëta për shumë çështje, ndër të cilat do të veçonim, për shembull, qëndrimin e njësuar ndaj ngjarjeve të rëndësishme historike dhe shoqërore të vendit. Harmonia fetare, që do të thotë vetëm harmoni në mes feve, duhet të kuptohet si harmoni ndër shqiptarë që praktikojnë fe të ndryshme. Kurse shprehja ‘toleranca fetare’, (toleroj=duroj, lejoj, tregohem zemërgjerë, mbyll një sy), e përdorur në këtë rast, nuk tingëllon shumë elegante.
“Përkatësia fetare nuk bëhej pengesë kryesore për një bashkëjetesë normale midis myslimanëve dhe të krishterëve, përkundrazi, ata filluan të lidheshin në krushqi. Në fshatrat e Labërisë në të njëjtën tepsi piqej byreku i gatuar gjysmë me mish derri dhe gjysmë me mish dashi, që nga njëra anë hante burri i krishterë dhe nga ana tjetër gruaja myslimane” (A. Kollia, “Arvanites”, cituar nga I.Ushtelenca, po aty f. 114).
Politika që ndoqi Ali Pashë Tepelena, dhe që ndryshoi botëkuptimin e shqiptarëve që banonin në pashallëkun e tij lidhur me fenë, kishte në thelb çlirimin nga konceptet shabllone fetare dhe rritjen e mëtejshme të ndjenjave kombëtare mbi ato fetare. “Në pashallëkun e Janinës nën qeverisjen e Ali Pashë Tepelenës të gjitha besimet fetare gjejnë një tolerancë të gjerë. I krishteri nuk është i shtypur nga ato mekanizma sekondare të tiranisë që i bëjnë të padurueshme zinxhirët që i lidhin ata” (H. Holland, “Travels”, 1815, f. 156-157).
Nga shumë fakte të tjera, zgjodha edhe dy që po i paraqes shkurtimisht:
“Dhiata e Re e shqipëruar nga dr.Vangjel Meksi, që u shtyp pjesërisht në vitin 1824, u shpërnda në gjithë Shqipërinë. 10 kopje iu dorëzuan imzot Andrea Ikonomit, famullitari i kishave të Kavajës dhe Durrësit. I dërguari i Shoqërisë Biblike Angleze që shpërndante biblat, informoi qendrën në Londër për një fakt të jashtëzakonshëm: Në anën e majtë të hyrjes në kishën ortodokse të Durrësit kushtuar Shën Gjergjit, ndodhet një altar i kishës latine kushtuar Luçianit, ku priftërinjtë katolikë bëjnë meshën, mbasi mbaron të vetën prifti i kishës ortodokse. Ishte një fakt i tolerancës fetare në Shqipëri. Atë që vetëm në vitin 1962 do ta pranonte si ekumenizëm ( afrimi ose bashkimi i të gjithë besimtarëve të fesë të krishterë dhe të kishave të ndryshme) Koncili II i Vatikanit, shqiptarët e kishin realizuar një shekull e gjysmë më parë” ( Xh. Lloshi, Vangjel Meksi, 2000, f. 23).
Revolucioni grek (1821) ishte në kulmin e tij kur gjatë rrethimit të qytetit Tripolica (1823), që mbrohej kryesisht nga ushtarë shqiptarë të mobilizuar nga turqit, ndërsa nga jashtë sulmohej nga shqiptarë të bashkuar me kryengritësit grekë të cilëve u shërbente edhe dr. Vangjel Meksi, mjeku i Ali Pashë Tepelenës, ndodhi një ngjarje e rrallë që tregohet edhe sot nga labovitët. Me ndërhyrjen e doktorit u shmang gjakderdhja e mëtejshme dhe u arrit një marrëveshje sipas së cilës shqiptarët e rrethuar e lanë kështjellën, por.... bashkë me armatimet e tyre.
Dr. Nuray Bozbora, në librin e saj “Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Osmane”, pohon se “Ashtu siç nuk janë vërejtur konflikte fetare midis katolikëve dhe ortodoksëve, e njëjta gjë mund të thuhet dhe për marrëdhëniet bektashizëm-sunizëm në Shqipëri, madje e njëjta gjë mund të thuhet edhe për raportet midis Islamit dhe Krishtërimit në Shqipëri. Pjesëmarrja e shqiptarëve me përkatësi të ndryshme fetare në ceremonitë fetare të njëri-tjetrit, dëshmon për tolerancën fetare midis shqiptarëve” (f. 65).
(vijon në numrin e nesërm)
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›