"Hasan Tahsim", prindërit protestë kundër mbylljes së shkollës
TIRANE- Mbyllja e shkollës 9- vjeçare "Hasan Tahsim", ka bërë që prindërit dhe fëmijët e kësaj shkolle paraditen e djeshme të protestojnë kundër këtij vendimi. Sipas prindërve, Ministria e Arsimit dhe Drejtoria Arsimore e Tiranës po i trajtojnë si një gjë pa vlerë, pasi nuk po u japin asnjë përgjigje se si do të vejë halli i fëmijëve të tyre. "Kjo është një shkollë me traditë dhjetëravjeçare; në familjen tonë janë tre breza që janë arsimuar në këtë shkollë. Po na trajtojnë si diçka pa vlerë, nuk na japin asnjë përgjigje. Fëmijët tanë, sikur të jenë zogj sorrash, do t'i bëjnë fije-fije nëpër shkolla të tjera. Në këtë fushatë po dëgjojmë se në çdo cep do hapen shkolla, po në zemër të Tiranës do t'i vënë rruspën", - tha Irena Bulaj, gjyshja e tre nxënësve të kësaj shkolle. Të revoltuar kanë qenë edhe prindër të tjerë, të cilët kanë akuzuar edhe drejtorin e kësaj shkolle, Taulant Sheme, se këto dy vitet e fundit e ka çuar shkollën në degradim të plotë, si dhe ka bllokuar regjistrimin e fëmijëve në klasë të parë. Po ashtu, ata që pjesë e bordit të prindërve në këtë shkollë kanë thënë se nuk është bërë përzgjedhja e teksteve për vitin e ardhshëm shkollor, ndaj vendimi për kyçjen e shkollës është marrë, edhe pse atyre nuk iu thuhet gjë.
PRINDERIT&ANKESAT
Shtatori i këtij viti, shkollën "Hasan Tahsim", e cila ndodhet në zemër të Tiranës, me një traditë më shumë se një gjysmëshekulli, do ta gjejë të kyçur. Kjo, për arsye se Drejtoria Arsimore e Tiranës ka vendosur që kjo shkollë të kthehet në shkollë të mesme. Por ata që do të vuajnë pasojat janë nxënësit që mësojnë aktualisht në këtë institucion dhe prindërit e tyre, të cilët do detyrohen që fëmijët t'i regjistrojnë në shkolla të tjera. "Kam dy fëmijët e djemve që mësojnë në këtë shkollë. Jemi kundër mbylljes, na rrezikohet jetët e fëmijëve nga makinat, sepse do shkojnë në shkolla që janë më larg", - tha Farie Tadori. Kësaj proteste i janë bashkangjitur edhe nxënësit, të cilët nuk kanë zhvilluar orën e parë të mësimit, duke ndenjur jashtë me prindërit e tyre dhe me pankarta në duar kanë kërkuar që shkolla e tyre të mos shembet. "Mos e mbyllni shkollën, mos shkatërroni të ardhmen tonë", - shkruhej në disa prej pankartave të tyre. Ndërsa prindër të tjerë kanë ngritur problemin për rrezikun që shkolla të shembet dhe në vend të saj të ngrihet një pallat, pasi javën e kaluar kishin shkuar disa persona për të bërë matje duke thënë se janë punonjës të bashkisë dhe se aty do ndërtohej pallat dhe jo shkollë e mesme. "Kjo shkollë rrezikon të shuhet, edhe pse këtu kanë mbaruar arsimin fillor dhjetëra figura të njohura, si dhe traditën e familjeve tona që brez pas brezi jemi arsimuar këtu", - thotë një tjetër prind. Shkolla "Hasan Tahsim" këto vitet e fundit ka pasur një ulje drastike të numrit të nxënësve; nga rreth 400, numri i tyre ka shkuar në 190, pasi prej dy vitesh në këtë shkollë drejtoria ka ndaluar regjistrimin e nxënësve në klasë të parë, por edhe fëmijët në klasa më të larta. "Këtu nuk ka më klasa të para dhe të dyta, pasi nuk janë bërë regjistrime të reja prej dy vitesh. Me urdhër të drejtorit nuk është lejuar asnjë regjistrim i ri. Përfshi edhe ato të nxënësve në klasa të tjera, sidomos të fëmijëve të emigrantëve të kthyer, që ka pasur më shumë kërkesa. Ndërsa shpërnguljet janë dhënë me shumë lehtësi, duke bërë që numri i nxënësve të shkojë në 190", - tregon një prej mësuesve, të cilët janë në ankth për vendet e tyre të punës. Po ashtu edhe stafi i shkollës është reduktuar në 12 mësues. Ndërkohë që, një tjetër problem është braktisja e katit të tretë të kësaj shkolle, si dhe 'humbja' e bankave dhe karrigeve, edhe pse prindërit kanë thënë se po përdoren nga disa qendra elektorale.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)