Hasani: Shqipëria, mbështetje të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës

TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani gjatë qëndrimit në Kanada zhvilloi një takim me homologun ukrainas, Andrii Sybiha.
Hasani i konfirmoi homologut ukrainas mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
“Shprehëm angazhimin tonë për thellimin e lidhjeve dypalëshe si dhe hapja e ambasadës sonë në Kiev përforcon praninë dhe mbështetjen tonë diplomatike”, theksoi Hasani.
“Si bashkësponsorizues të rezolutës së OKB-së dhe mbështetës të Formulës së Paqes të Presidentit Zelenskyy, ne mbetemi të përkushtuar ndaj llogaridhënies dhe do të qëndrojmë pranë Ukrainës derisa të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme”, nënvizoi Hasani në një postim në rrjetet sociale.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mori pjesë dje në Konferencën e Ministrave mbi Dimensionin Humanitar të Formulës së Paqes në Ukrainë.
Aktiviteti i bashkë-organizuar nga Kanadaja, Norvegjia dhe Ukraina, kishte për qëllim trajtimin e krizës humanitare që ka shkaktuar agresioni ushtarak rus në Ukrainë dhe diskutimin mbi ndihmat dhe mbështetjen ndërkombëtare për zbutjen e pasojave të luftës.
Ky aktivitet është pjesë e Formulës së Paqes të Ukrainës, një iniciativë e udhëhequr nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, që ka për synim arritjen e një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë për Ukrainën.
/a.f/r.e/