Hasani takon Zëvendëskryeministren e Ukrainës: Shqipëria riafirmon mbështetjen e palëkundur për Kievin

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, priti këtë të hënë (14 korrik) zëvendëskryeministren për Integrimin Evropian dhe Euro-Atlantik të Ukrainës, Olha Stefanishyna, e cila mban gjithashtu detyrën e Ministres së Drejtësisë dhe Kryenegociatores së Ukrainës në procesin e integrimit.
Në përfundim të takimit, ministri Hasani theksoi se ka “rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën në aspektin politik, diplomatik dhe praktik.”
Bashkëbisedimi mes dy zyrtarëve u fokusua edhe në rrugën e integrimit evropian të vendeve përkatëse, ku Ministri Hasani vuri theksin te angazhimi i Shqipërisë për mbështetjen e plotë të anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian.
“Përcolla edhe mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë për anëtarësimin e Ukrainës, si dhe rëndësinë strategjike të mbajtjes së zgjerimit në agjendën evropiane” tha Hasani.
Takimi u zhvillua në një klimë miqësore e bashkëpunuese, duke reflektuar marrëdhëniet gjithnjë në rritje mes dy vendeve në funksion të paqes, sigurisë dhe aspiratave euroatlantike.
/rtsh.al/