Hashim Thaçi “del” nga burgu në Hagë, viziton të atin në spital në Kosovë

Hashim Thaçi ka mbërritur në Kosovë me një leje të përkohshme nga Gjykata Speciale në Hagë. Ish presidenti i Kosovës gjendet në QKUK, ku po merr trajtim mjekësor babai i tij.
Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara në Hagë, Michael Doyle ka konfirmuar vizitën e Thaçit.
“Për arsye detyruese humanitare, Trupi Gjykues dhe gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Sekretariatin që ta menaxhojë një vizitë me mbikëqyrje në Kosovë për Hashim Thaçin që të jetë me babanë e tij. I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara”, ka thënë ai për mediat në Kosovë.
Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte si dhe së fundi i është ngritur një aktakuzë kundër administrimit të drejtësisë./abcnews.al