Haxhimali: Emergjencat civile nuk do të jenë kompetencë e bashkisë

Eksperienca ndër vite ka treguar se menaxhimi i emergjencave civile, si përmbytje, zjarre, tërmet etj nuk kanë patur rezultat nën kompetencës e njësive vendose.
Ndaj qeveria ka dhënë sinjale që kjo kompetencë do të rishikohet për të gjetur një mënyrë të re menaxhimi. Agron Haxhimali ekspert për çështjet vendose, duke folur në emisionin E-ZONE tha se qeveria është në të drejtën e saj për të gjetur në mënyrë të re menaxhimi
“Unë kam qenë dikur avokat i bashkive për të ofruar shërbime dhe për të patur një decentralizim të theksuar. U prit që me kalimin e këtyre përgjegjësive, i gjithë procesi të ishte më dinamik më funksional. Por sot jemi dëshmitar që menaxhimi i këtyre emergjencave nuk ka patur efekt pozitiv. Ndaj qeveria ka sinjalizuar për një menaxhim të ri, ku duket se nuk do të jetë më kompetencë e njësive vendore“, tha Haxhimali
Por kush do t’i menaxhojë emergjencat civile qeveria apo do të jetë një shërbim i deleguar në kompani publike?
“Në dijeninë time ende nuk ka një formë të zyrtarizuar, por duket se qeveria po shkon drejt një modeli më të përqendruar, më të rajonalizuar. Çka do të thotë se energjitë mund të përqendrohen në disa qendra të posaçme apo bashki më të mëdha dhe të jenë më të organizuara. Kjo quhet decentralizim asimetrik“, deklaroi Haxhimali.
Pak kohë më parë reshjet e dendura sollën një përmbytje masive të qytetit të Vlorës, çka e vuri bashkinë përballë pamundësisë për të menaxhuar në kohë demet e shkaktuara.