Haxhinasto viziton Kosovën në 18-19 mars

Me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme te Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, do të vizitojë Republikën e Kosovës në datat 18 e 19 mars.
Gjatë kësaj vizite, Haxhinasto, do të ketë takime të shumta me përfaqësues të ndryshëm institucional, partive politike, shoqërisë civile dhe përfaqësuesve ndërkombëtar. Temë e takimeve do të jetë edhe hapja e pikave të reja kufitare për kalimin e mallrave dhe tema me rëndësi për dy shtetet.
Haxhinasto, takimin e parë do ta ketë me homologun e tij, Enver Hoxhaj. Në takim do të diskutohen tema të ndryshme në shërbim të thellimit të marrëdhënieve bilaterale dhe për rolin e Shqipërisë në mbështetjen e Republikës së Kosovës në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në mekanizmat financiare, rajonale dhe të sigurisë.