Haxhiu: Asnjë viktimë të mos mbetet pa emër, asnjë krim pa u dokumentuar

PRISHTINË, 1 gusht /ATSH/ Ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu tha se dokumentimi i krimeve të luftës në Kosovë duhet të vazhdojë derisa asnjë viktimë të mos mbetet pa emër, asnjë krim pa u dokumentuar.
Instituti i Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë ditë më parë paraqiti për herë të parë listën institucionale të viktimave të luftës, duke dokumentuar gjithsej 12 230 viktima të luftës në Kosovë. Lista është paraprake dhe puna vazhdon.
Haxhiu tha se pas çdo numri është një jetë e ndërprerë, një familje që pret drejtësi dhe një dhimbje që nuk është shuar kurrë dhe se pikërisht për këtë, dokumentimi i së vërtetës nuk është vetëm një detyrë institucionale, por edhe një obligim moral ndaj viktimave dhe brezave që vijnë.
“E vlerësoj veçanërisht punën e stafit të Institutit, i cili përballet çdo ditë me materiale dhe dëshmi të rënda, duke e trajtuar secilin rast me kujdesin profesional dhe njerëzor që meriton.
Për vite të tëra, të dhënat ishin të shpërndara në arkiva të ndryshme, në dosje institucionesh e organizatash dhe në dokumentet që familjet i kishin ruajtur vetë”, shkroi Haxhiu.
Ajo tha kur nisën procesin e rithemelimit të Institutit, ishte e qartë se ai nuk duhej të ishte një strukturë e përkohshme, e varur nga vendime të çastit, por një institucion i qëndrueshëm me mandat të qartë dhe vazhdimësi dhe se për këtë arsye u themelua me ligj të posaçëm, duke e bërë dokumentimin e krimeve të luftës detyrim të përhershëm të shtetit.
“Raporti i paraqitur këto ditë është dëshmia e parë e rëndësishme e këtij angazhimi. Instituti ka nisur ta krijojë evidencën zyrtare të viktimave, ndërsa puna duhet të vazhdojë me dokumentimin e masakrave, dëbimeve, dhunës seksuale, burgosjeve, torturave, varrezave masive dhe dëmeve të tjera të shkaktuara nga Serbia gjatë luftës.
Kjo punë duhet të vazhdojë derisa asnjë viktimë të mos mbetet pa emër, asnjë krim pa u dokumentuar dhe e vërteta të mos mbetet vetëm në kujtesën e familjeve, por të zërë vendin që meriton në historinë dhe ndërgjegjen e shtetit tonë”, shkroi Haxhiu.
/KosovaPress/