Haxhiu: Gjykata Speciale të korrigjojë kërkesën e padrejtë të ZPS-së

PRISHTINË, 3 gusht/ATSH/ Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka folur për vendimin e 11 viteve më parë të Kuvendit të Kosovës, ku u votua pro themelimit të Gjykatës Speciale.
Haxhiu për KosovaPress, tha se këtë vendim të Kuvendit e patën konsideruar si një nga gabimet historike që do të mbahen mend përherë si vendim i dëmshëm.
Ajo uron që Gjykata Speciale të korrigjojë kërkesën e padrejtë të Prokurorisë së Specializuar në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendimi ndaj të cilëve do të merret më 16 shtator.
“Prandaj edhe duke qenë në thelb e padrejtë, natyrisht që sa herë kalojnë vitet, ne na kujtohet sa vendim i dëmshëm ka qenë vendimi për ta formuar Gjykatën Speciale. Ne urojmë, unë uroj që Gjykata apo vendimi i gjykatës do ta korrigjojë kërkesën e padrejtë të Prokurorisë së Specializuar. Faleminderit shumë”, tha Haxhiu për KosovaPress.
Në fjalën përfundimtare, Prokurorja e Specializuar, Kimberly West pati kërkuar 45 vite burgim për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gjykata Speciale do ta marrë vendimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 16 shtator të këtij viti, pak muaj para se të bëhen 6 vjet prej se mbahen në paraburgim Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.
/KosovaPress/