Hazizaj: Po vazhdon loja e 2011-s me votat në kutinë e gabuar
Intervista
Konstitucionalisti: Nuk mund të ndryshohet KQZ-ja
Ish-zv.ministri i Drejtësisë, konstitucionalisti Sokol Hazizaj, thekson në një intervistë për Shqip, se Kodi Zgjedhor është i qartë dhe nuk mund të interpretohet. Anëtari i KQZ-së nuk mund të ndryshohet gjatë rrugës, pasi preken rregullat e vendosura në fillim…
A është i ligjshëm ndryshimi i anëtarit të KQZ-së?
Kjo ngjarje që po ndodh së fundmi, nuk është veçse një lojë më tepër në historinë e votave në kutinë e gabuar, por sot jo më për votën dhe vendin ku hidhet ajo, por për vendin dhe pozicionin politik të një anëtari të KQZ-së, kushdo qoftë ai, i cili në fund të fundit, për shkak të detyrës që ushtron, nuk betohet para partisë politike që e ka propozuar, por përpara të njëjtit Kuvend që e ka votëbesuar. Pra duhet pranuar konkluzioni se dhe ky Kuvend ka gabuar, duke hedhur pa dashje ndoshta votën në kutinë e gabuar. Ideja e ndryshimit të një anëtari të KQZ-së, bazuar vetëm te neni 14 i Kodit Zgjedhor të ndryshuar së fundmi, ku citon në pikën ç të tij se anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara prej grupimeve deputetësh të partive të shumicës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të grupimit të shumicës. Anëtari i gjashtë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara prej grupime deputetësh të partive të opozitës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës. Grupimi propozues që paraqet një listë përkatëse me jo më pak se dy kandidatura për vakancën, është tërësisht i gabuar dhe nuk vjen me frymën logjike dhe vijuese të vetë Kodit Zgjedhor. Në justifikim të kësaj që pohova, qëndron argumenti i thjeshtë logjik i gjendur gjithashtu brenda në Kodin Zgjedhor, jo shumë larg nga dispozita referuese e sipërcituar. Referuar nenit 13 të Kodit, pranohet se anëtari i KQZ-së ka mandat 6-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje, dhe përmbajtjes së neneve 18 dhe 19 të Kodit, ku parashikohen respektivisht momentet ligjore të ndërprerjes së mandatit të anëtarit të KQZ-së dhe të zëvendësimit të tij, e bëjnë referencën e përdorur nga propozuesit e ndryshimit të anëtarit të KQZ-së të paqenësishme dhe palogjikshme në vështrimin ligjor. Parë me kujdes këto dy dispozita, të cilat nuk kanë nevojë për interpretim, qartazi parashikohen rastet kur ndërpritet dhe zëvendësohen anëtarët e KQZ-së. Megjithatë, politika këtu te ne mund dhe i bën të gjitha, mjafton që tua shpiesh ndërmend. Thjesht duket se jemi përpara një reforme të pafund ligjore dhe elektorale në të ardhmen. Moment tjetër që më vjen ndërmend pa e paragjykuar procesin që mund të ndodhë, është fakti se, nëse kjo iniciativë ligjore merr votat e mundshme të Kuvendit të Shqipërisë, bëhet e lehtë të kuptohet nga të gjithë se edhe kryetari i KQZ-së, zgjedhur nga votat e PD-së dhe LSI-së, duhet ndryshuar, pse jo?!
Pra, nëse preket KQZ-ja, duhet të riformatohet?
Te ne është më e thjeshtë që logjika e mbrapshtë dhe e paarsyetuar të jetë më e kuptueshme dhe më e pranueshme, mjafton që brenda të ketë urrejtje, e cila përkthehet në largim dhe vetëm largim. Sinqerisht, unë nuk do ta kuptoja kurrë, për më tepër tani që dy muaj na ndajnë nga zgjedhjet, që organi i vetëm final i administrimit të zgjedhjeve të ndryshojë, megjithëse e ka humbur karakterin e tij kushtetues, pra ka ngelur vetëm ligjor. E vetmja gjë që ngelet për tu artikuluar sot, është pranimi i idesë së relativitetit të Ainshtajnit mbi jetën, duke shpresuar të mos jemi të përjetshëm, se kush e di çdo të ndodhte në të kundërt me votën në kutinë e gabuar.
Hazizaj: Po vazhdon loja e 2011-s me votat në kutinë e gabuar burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email