Heidi Baci në Tech Talk: Pandemia i ndërpreu studimet për farmaci, ndërsa fama i erdhi krejt papritur

Emisioni i ri “Tech Talk”, i moderuar nga Kristi Gongo dhe Kushtrim Shala, u shfaq për herë të parë këtë të martë në ekranin e Top Channel.
E ftuara e puntatës së parë ishte Heidi Baci, moderatorja e “Për’puthen” dhe ish-finalistja e BBVA 3. Gjatë bisedës, ajo tregoi për rrugëtimin e saj, duke nisur nga pasioni për farmaceutikën deri te njohja publike, e cila sipas saj erdhi në mënyrë të papritur.
Baci rrëfeu se kishte zgjedhur fushën e mjekësisë, veçanërisht farmaceutikën, por planet e saj ndryshuan pas shpërthimit të pandemisë globale të COVID-19 në vitin 2021. Në atë periudhë, ajo kishte përfunduar trevjeçarin e parë të studimeve.
“Kisha dëshirë të ndiqja farmaceutikën, por jeta më drejtoi në një tjetër rrugë. Problemi global i COVID-it ndodhi pikërisht pasi mbylla trevjeçarin e parë, ndaj nuk arrita të përfundoja specializimin që doja në farmaceutikë. Megjithatë, mund të bëheshe biologe, të studioje kiminë dhe analizat. Madje kisha mësuar edhe si të hapja e të mbyllja leprovetën me një dorë, sepse ishte pjesë e testit. Vendosa të mos e vazhdoja më, pasi në Itali do të merresha me kryerjen e testeve në një periudhë shumë të vështirë për shtetin dhe njerëzit. Në atë kohë nuk mund të hyje askund pa bërë testin e COVID-it”, u shpreh ajo.
Gjatë emisionit, Heidi foli edhe për raportin që ka krijuar me ndjekësit e saj në rrjetet sociale. Ajo deklaroi se u është mirënjohëse, pasi beson se mbështetja e tyre ka ndikuar drejtpërdrejt në ndërtimin e karrierës së saj.