Helena Kadare: Ju tregoj manitë e vogla të Ismailit
Nuk ndihem e sakrifikuar, kam zgjedhur me kënaqësi të rri përbri hijes së lisit
Tashmë ajo po shijon jehonën e librit. Kanë kaluar 2 muaj tashmë, që kurse doli në treg dhe shkaktoi një bujë jo të vogël. Pasi ka vjelë reaksionin e publikut, Helena Kadare flet për librin e saj me kujtime Kohë e pamjaftueshme. Cilat ishin ndjesitë që e shoqëruan gjatë shkrimit të këtij libri, cili është laboratori i saj krijues, manitë e vogla të të shoqit, Ismailit lidhur me të shkruarin, takimet me shkrimtarë të mëdhenj botërorë, e të tjera detaje të jetës së çiftit të famshëm.
KADARE & KADARE, PËRBALLË
-Cila ishte ndjesia që ju shkaktonte të shkruarit e kujtimeve?
Dëshira për të dëshmuar është tek çdo njeri. Por ka raste kur ajo bëhet e domosdoshme. Ose së paku ashtu të duket ty. Në raste të tilla ndihesh e privilegjuar që të jepet rasti që këtë dëshirë të fortë ta bësh të mundshme. Për të mos folur pastaj për terapinë lehtësuese shpirtërore që vjen vetvetiu me të shkruarit vetë, si proces.
-A keni qenë ju një grua sakrifikuese? E kam fjalën për shkrimtaren tek ju. Si e përfytyroni ju veten si shkrimtare nëse nuk do të kishit qenë një sakrifikuese? Keqardhje?
Nuk ndihem e sakrifikuar. Mos harroni se jemi në sferën e letërsisë. Kam shkruar kujtimet për njeriun tim më të afërt, por ky njeri, për të cilin po flasim, është i lidhur me njëmijë fije me letërsinë dhe nuk mund të ndahet prej saj. Prandaj ky libër aq sa i përket jetës sime private, i përket dhe letërsisë. Për asnjë çast nuk jam ndier e shkëputur prej saj. Siç e kam shpjeguar edhe në librin për të cilin po flasim, dashuria ime qysh nga fëmijëria për letërsinë nuk pësoi asnjë tkurrje nga prania zotëruese e njeriut, me të cilin ndaja jetën. Mendoj se ky pasion u realizua tek unë jo vetëm duke vazhduar, edhe pse kursyeshëm, me krijimtari letrare, por duke u bërë, në të njëjtën kohë, një ndihmëse e tij në përgatitjen e tekstit letrar. Kam qenë e lumtur që, ndër të tjera, rrëfej në këtë libër edhe shënime për laboratorin e tij krijues dhe sinopse, për vepra që ai ska mundur ti shkruajë. Vështirë se dikush tjetër do mund ta bënte këtë.
- Nën hijen e rrapeve të mëdhenj nuk mbin bari Është një thënie e perifrazuar e Rodenit për të dashurën e tij, Camille Claudel, e cila në të vërtetë ka mbetur në histori për vlerat e saj si artiste… porse Rodeni ishte i bindur se fati i saj i keq ishte të qenët nën hijen e një artisti si ai. Çfarë do të thoshit për shkrimtaren Helena Kadare nën hijen e një shkrimtari si bashkëshorti juaj?
E njoh këtë thënie. E di dhe përdorimin e saj në rastet e njerëzve të afërt të krijuesve të njohur, zakonisht për gratë e tyre. Dhe kam menduar: po sikur pyetja të shtrohet ndryshe? Meqenëse për arsye të lisave nuk mbin bari, mos duhet që lisat ti bëjmë fajtorë? Mos duhet ti presim ata?
Për të vazhduar shakanë, mund edhe të thoshim: sa mirë janë këta lisa, sepse me të tjerët, domethënë «barin», do bëjmë si do bëjmë. Në fund të fundit, për të vazhduar pa shaka tani, të jetosh përbri «hijes së lisit», është edhe kënaqësi. Natyrisht për dikë që e ka zgjedhur vetë këtë vend.
-Ju e keni përmendur edhe në librin tuaj një shprehje që artikulohet shpesh për gra shkrimtarësh të njohur, të cilat shkruajnë (me sa duket një fenomen jo thjesht dhe vetëm shqiptar): ia ka shkruar ai. Në të vërtetë, në çmasë ndërhynte Kadare në veprat tuaja?
Po. Kjo është tepër e njohur, keni të drejtë. Rrallëherë ka ndodhur që për gratë shkrimtare të mos pëshpëritej se ishte një «ai» që ia shkruante veprën.
Kohët e fundit u bë një korrigjim i parë lidhur me këtë. Një burrë u dyshua gjithashtu se disa nga dramat ia kishin bërë gratë Dhe sishte ndonjë autor dosido, por Bertold Breht-i, dora vetë. Edhe sot e kësaj dite vijon diskutimi se cilat nga dramat nuk i ka shkruar vetë, por mikeshat e tij, pra «ajo». Më në fund!
Ismaili nuk e ka pasur zakon të ndërhynte. Duhet thënë gjithashtu se ishte e natyrshme që unë të ndikohesha prej tij. Sidomos në këtë libër kujtimesh përmenden thëniet e tij, tregime ngjarjesh të dëgjuara ose të komentuara prej tij. Mendoj se këto duhet ta shtojnë përshtypjen e ndikimit.
-Po vërejtje, sugjerime… a merrnit? Kishit prirjen të reagonit apo ishit e hapur dhe mirëpritëse?
Kam qenë gjithmonë mirëkuptuese. E quaja si një interesim të tij ndaj punës sime. Ngaqë ia njoh mirë zakonin që ka për të mos bërë lavdërime «gratis», e çmoja në mënyrë të veçantë çdo vlerësim kur vinte prej tij. Sa për vërejtjet, sinqerisht kisha prirjen maksimale për ti pranuar e për ta zbatuar në çast çdo sugjerim. Natyrisht, ngaqë kisha besim të palëkundur në gjykimet e tij.
TË NJOHESH TË MËDHENJTË E BOTËS
-Të qenët gruaja e Kadaresë, është përkthyer edhe me fatin e rrallë të takimit me të mëdhenjtë e letrave botërore… Cili ishte përjetimi i takimeve me njerëz që ua kishit adhuruar veprën?
Ismailit i ka rënë rasti të takohet me shumicën e tyre. Më vonë, kur kemi udhëtuar bashkë, kam njohur një pjesë. Disa, si Milan Kunderën apo Kosta Gavras i kemi pothuajse fqinjë në Paris. Të tjerë, si Solzhenicini ose Arthur Miller, i kam njohur kur kanë kaluar nëpër Paris. Po ashtu, Havelin, kur është pranuar në Akademinë Moralo-Politike, anëtar i së cilës është dhe Ismaili. Me të madhin patriark të letrave franceze, Julien Grace, kemi kaluar një ditë të tërë të paharrueshme, kur jemi ftuar prej tij në shtëpinë e vet në Saint Florent Le Vieil. Kur jam njohur me Bioy Casares në Romë, më është dukur e pabesueshme se si mund të darkoja në një tryezë pranë njeriut që ka qenë bashkautor në disa tregime me Borgesin!
Takimi me shkrimtarë të mëdhenj mbetet gëzimi më i madh në forumet ndërkombëtare. Dhe jo vetëm për mua. E kam quajtur veten me fat që jam takuar me Umberto Eco-n, Danilo Kish-in, Salman Ruzhdiun, disa herë me Harold Pinter-in apo me Edgar Morin-in, nëpër darka te të njohurive tanë të përbashkët. Bisedat e çmuara me ta i kam shkruar menjëherë, për të mos harruar asgjë, nëpër ato blloqet e panumërt «të çantës», që më përmendët ju. Kur më qëllon ti hap, më duken si një grumbull xhevahiresh të çmuar, shumë të shtrenjtë. Më ka mbetur peng që nuk kam qenë në takimet e Ismailit me Garcia Marquez-in e madh apo me Heinrich Böl-in, po kjo svarej prej nesh, po të kemi parasysh kohën në të cilën këto takime janë bërë.
-Kur njiheshit me të mëdhenjtë e letrave botërore, a kishit prirjen për të bërë krahasime? A keni zbuluar mani, teka?
Ndoshta. Kjo, me sa duket, ndodh pa dashur, pa e menduar. Përshtypja ime e përhershme ka qenë se, në të kundërtën e ndonjë opinioni që mund të qarkullojë, shkrimtarët e shquar kanë një mirëkuptim me njëri-tjetrin.
Ndryshe nga unë që jam me një dozë të lartë adrenaline, admirimi dhe entuziazmi në prani të tyre (mbeturina prej gjimnazisteje, do të bënte shaka Ismaili) Ismaili, ngaqë nuk ka komplekse, ndihet mirë dhe i lirshëm midis njerëzve të shquar. Kur është fjala për mjedise të letërsisë, aq më tepër. Në këto rrethe vendoset një hierarki vlerash, prej së cilës rrjedh, mendoj unë, edhe mirëkuptimi. Bisedat bëhen shpesh fare të natyrshme, si për shembull, zoti X, kam lexuar në një intervistën tuaj se zhurma e kafenesë ku punoni sju bezdis aspak. Unë vetë sjam mësuar dot me të etj. etj. si këto.
Sa për manitë dhe tekat e tyre, ato nuk janë të dukshme në mbrëmje e darka të këtij lloji. Veç rasteve kur vetë bashkëshortet e këtyre njerëzve të shquar, nuk e di për çfarë arsye, më kanë konfiduar vetë, pa të keq, madje nganjëherë me ton gazmor, ndonjë «mani» të burrave të tyre të famshëm. Po këtu sështë ras