Helikopterët në aksion për shuarjen e zjarrit në Parkun e Syrit të Kaltër dhe në Gramsh, erërat ndihmojnë përhapjen e vatrave

Disa zjarre masive në hyrje të Parkut Natyror të Syrit të Kaltër përballë fshatit Krongj i bënë të hënën të detyrueshme ndërhyrjet nga ajri për fikjen e tyre.
Mijëra litra ujë u lëshuan mbi kodrat në flakë nga dy helikopterë të pajisur me kovat e posaçme.
Përhapja e shpejtë bëri që zjarri të nisë nga bimësia e ulët dhe të ngrihet në më shumë se dhjetë metra lartësi për shkak të pemëve të ngjeshura.
Rreziku ndaj Parkut të Syrit të Kaltër u paralajmërua që ditën e diel, duke parë ecurinë e vatrës së zjarrit në zonën e Krongjit. Forcat zjarrfikëse lokale, të ndihmuara edhe me përforcime, punuan deri natën vonë për ta mbajtur zjarrin nën kontroll. Kisha e fshatit dhe një banesë raportohet se u dogjën plotësisht, duke shkatërruar bashkë me to edhe ullishte e pemëtari.
Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 38 vatra zjarri, prej të cilave rrezikohen edhe banesat dhe zonat e mbrojtura. Në operacionet e shuarjes janë angazhuar automjete zjarrfikëse dhe mbi 600 forca operacionale, të ndihmuara nga rreth 200 trupa të Forcave të Armatosura, helikopterë ushtarakë dhe mjete të specializuara. Në aksion kanë marrë pjesë edhe avionë Canadair nga Kroacia dhe Italia, si dhe helikopterë “Black Hawk” të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Situatë e rëndë në qarkun e Vlorës
Situata më e rëndë raportohet në qarkun e Vlorës, ku në bashkinë Finiq, zjarri ka avancuar drejt fshatit Krane, duke detyruar evakuimin e banorëve. Një tjetër vatër problematike është në fshatin Leshnicë e Poshtme, ku janë angazhuar forca zjarrfikëse, Forcat e Armatosura dhe njësitë speciale FNSH. Po në këtë qark, ndërhyrje janë bërë edhe në parkun e Rëzomit, në fshatin Bolenë dhe Lukovë, me mbështetje nga ajri nga avioni kroat Canadair.
Zjarri në Poliçan rrezikon ujësjellësin
Evakuime janë bërë edhe në Berat, ku zjarri pranë Uzinës Mekanike në Poliçan ka rrezikuar ujësjellësin, një grup banesash dhe Azilin e të Moshuarve. Situata vijon të jetë nën menaxhim me ndihmën e forcave tokësore dhe ndërhyrjeve ajrore.
Qarku i Gjirokastrës përkohësisht pa energji
Zjarret në jug të Shqipërisë kanë shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike nga linja e Bistricës, duke lënë pa energji të gjithë qarkun e Gjirokastrës. Rreth orës 20:00 u raportua se ekipet e avarisë po punojnë intensivisht për rikthimin e situatës në normalitet.
Zjarri përfshin masivin pyjor në Gramsh
Helikopterët e Forcës Ajrore çeke dhe asaj sllovake që operojnë nga Baza e Kuçovës u nisën pasditen e së hënës drejt Gramshit për të shuar një vatër zjarri të shfaqur që në orët e vona të së dielës në afërsi të fshatit Sojnik, në njësinë administrative Kukur. Zjarri raportohet se ka përfshirë një masiv pyjor të dendur, ku ndërhyrja e forcave zjarrfikëse ka qenë pothuajse e pamundur për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së aksesit rrugor. Në mesdrekë është ndezur një vatër e re zjarri më e madhe dhe më agresive mbi fshatin Sojnik, i cili është përhapur deri në fshatin Snosëm, duke rrezikuar edhe banesat.
/rtsh.al/