Heq dorë nga Ministria?

Lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli ka hequr dorë nga kërkesa e tij për të marrë edhe një Ministri në Qeverinë e Kosovës.
Së paku kështu ka njoftuar televizioni publik duke u thirrur në burime brenda Zyrës së Kryeministrit.
Kreu i AKR’së për një kohë të gjatë ka pretenduar se në bazë të marrëveshjes me PDK’në atij i takon edhe një ministri. Sidomos kjo kërkesë është aktualizuar pasi ai ishte larguar nga posti i Presidentit të shtetit, vitin e kaluar, kur Gjykata Kushtetuese kishte shpallur se ai ishte zgjedhur në mënyrë të paligjshme në postin më të lartë.
Pas largimit nga zyra kryesore e shtetit, Pacolli kishte marrë postin e Zëvendëskryeministrit të Parë, derisa vazhdimisht kishte përsëritur se partneri i tij i koalicionit, Hashim Thaçi i kishte premtuar edhe një ministri pa e përcaktuar se cila është ajo.
Këtë kërkesë, shefi i AKR’së e kishte përsëritur edhe të dielën gjatë një interviste për Express.
Por të mërkurën, televizioni publik duke u thirrur në burime brenda Zyrës së Kryeministrit, tha se Thaci dhe Pacolli janë pajtuar që AKR’ja të mos kërkojë edhe një dikaster tjetër brenda Qeverisë.
Sido që të jetë, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari ka thënë se ka pasur biseda mes dy liderëve, por nuk ka mundur të konfirmojë këtë marrëveshje.
Ajo ka sugjeruar që për këtë çështje të pyetet Pacolli, por kontakti me këtë të fundit ka qenë i pamundur.
AKR’ja me koalicionin Aleanca për Kosovën e Re” dhe PDK’ja kishin arritur marrëveshjen për koalicionin në prill të vitit 2011. Sipas kësaj marrëveshjeje, AKR’ja dhe Aleanca për Kosovën e Re kishin marrë postin e Presidentit, një zëvendëskryeministër dhe 4 ministri.
Pas largimit të Pacollit nga Zyra e Presidentit, Thaçi e kishte emëruar atë Zëvendëskryeministër të Parë.