Heqja e Twitter nga dyqani i aplikacioneve, Musk: Mosmarrëveshja me shefin e Apple është zgjidhur

Multimiliarderi Elon Musk ka thënë se mosmarrëveshja me shefin e Apple, Tim Cook për heqjen e mundshme të Twitter nga dyqani i aplikacioneve, është zgjidhur.
Të hënën, Musk akuzoi Apple se ka kërcënuar se do hiqte platformën nga dyqani i aplikacioneve dhe tha se kishte ndaluar shumicën e reklamave të saj në faqe. Musk akuzoi Apple për “censurë” dhe kritikoi politikat e saj, duke përfshirë tarifën që vendos për blerjet e bëra në dyqanin e saj të aplikacioneve. “Apple ka ndaluar kryesisht reklamat në Twitter. A e urrejnë fjalën e lirë në Amerikë?” tha ai.
Më vonë, Musk njoftoi se do të zhvillonte një takim me Cook në selinë e Apple. “Bisedë e mirë. Ndër të tjera, ne zgjidhëm keqkuptimin rreth heqjes së mundshme të Twitter nga App Store. Tim e kishte të qartë se Apple nuk e kishte menduar kurrë ta bënte këtë”, sqaroi Musk.
Takimi midis dy liderëve të teknologjisë vjen pasi shumë kompani kanë ndalur shpenzimet në Twitter për shkak të shqetësimeve në lidhje me planet e Musk për moderimin e përmbajtjes për faqen.
/rtsh.al/