Heroi, shoqëria dhe historia
Një nga mitet më të bukura të lashtësisë është ai që tregon se si njerëzit, në krye të herës, jetonin në trajtën e një bashkësie të pandashme, por që ishte e përjetshme. Të mërzitur nga jeta në këtë nebulozë, ata u kërkuan zotave ti zgjidhnin nga njëri-tjetri e të bëheshin individë. Zotat pranuan, por me një kusht: si individë, nuk do të ishin më të përjetshëm, por vdekatarë. Nuk kam lexuar mit që ta shprehë kaq sintetikisht sa ky kondicionin tragjik që e ka shoqëruar njeriun në shekuj: nevojën… e tij për përkatësi në një bashkësi më një anë, por edhe nevojën e tij për liri individuale më anë tjetër, qenien e tij vdekatar dhe aspiratën e tij për të mos vdekur kurrë.
Duke dashur ta zgjidhë këtë kontradiktë, individi vdekatar jo vetëm nuk i ka shkëputur lidhjet me vdekatarët e tjerë, por ka tentuar të kthehet gjithnjë te nebuloza e origjinës duke i dhënë jetës një kuptim pikërisht nëpërmjet saj. Në çdo fe, në një formë apo në një tjetër, do të gjesh ruajtjen e lidhjes së njeriut me të tjerët dhe dhënien kuptim jetës në trajtën e kthimit te parajsa e humbur e bashkësisë. Kjo ka pasur si faqe tragjike dhunën që ka pësuar individi vdekatar kur u është kundërvënë normave të kësaj bashkësie. Kur njeriu filloi të mos besojë më te Zoti dhe te bota e përtejme si kuptim i jetës së tij, ai e kërkoi, gjithsesi, përjetësinë/parajsën nëpërmjet përkatësisë në bashkësi. E kërkoi te teleologjitë e ndryshme që e bënin atë instrument të një fati historik të determinuar: ingranazh të fatit të kombit të cilit i përkiste, te ndërtimi i komunizmit, te industrializimi dhe shkencizmi, sipas të cilave ai do ta transformonte botën ashtu që ajo të bëhej e gjitha në funksion të tij – finalitete që më mirë se kushdo ndoshta i ka shprehur Hegeli kur shkruan për realizimin e Idesë Absolute. Kur zbuloi se edhe këto ishin metanarrativa zëvendësuese të Zotit, të mbushura me plot gabime që i sollën aq tragjedi, ai u ndie i braktisur. Zbuloi kështu, së bashku me Niçen, nihilizmin. Zbuloi edhe absurdin. Por zbuloi edhe vullnetin për pushtet, edhe heroizmin e arsyes, edhe se qe vetë zot i vendimeve të veta pasi të ardhmen nuk ia kishte determinuar asnjë zot dhe asnjë projekt përtej tij, se esenca e tij qe ekzistenca e tij, se ishte një projekt i hedhur në një kohë e hapësirë të caktuar, siç do të thoshte Heidegeri. Por edhe këto nuk e bënë të reshtë së përjetuari, pa e zgjidhur, kontradiktën e qenies së tij individuale dhe shoqërore njëherësh. Ai po e përjeton këtë kontradiktë edhe sot, kur, pas triumfit të liberizmit sipas thënies së Theçerit: Nuk ekziston shoqëria, ekziston vetëm individi, e sheh veten të zhytur në një krizë të thellë shpirtërore dhe ekonomike.
* * *
Kur flasim për kuptimin e jetës së njeriut në bashkësi nuk mund të mos dalim te figura e heroit, pasi nga pikëpamja shoqërore, koncepti i heroit është i pandashëm nga koncepti i bashkësisë.
Duke iu referuar historisë, do të vëmë re se bashkësia e lind vetëdijen e saj nëpërmjet heroit/heronjve, e se, më pas, nëpërmjet përkujtimit të tyre, ajo kërkon të sigurojë vazhdimësinë e saj duke riprodhuar vetveten nëpërmjet vlerave që ata simbolizojnë. Për një kohë të gjatë forcat kryesore të ngjizjes, por edhe të konservimit të shoqërive, kanë qenë fetë. Ato e kanë kryer këtë funksion nëpërmjet figurash heroike që, pasi janë bërë mitike nëpërmjet akteve të tyre themeluese, kanë shërbyer për të ilustruar parimet morale dhe shoqërore që e kanë ndihmuar këtë bashkësi të formojë një konceptim të përbashkët të gjërave. Këta heronj, zota si Krishti a profetë si Muhameti, janë bërë e shenjta që shumë shpirtra bashkon, siç thotë Gëtja, të paprekshëm deri në atë pikë, sa duket sikur po u prekën ata, shoqëria rrezikon të shpërbëhet.
Pra, nëse do të hulumtojmë aspektin e konservimit të shoqërisë do të vëmë re se, që të mbijetojë, shoqëria duhet të ketë mjete me të cilat të indoktrinojë pjesëtarët e saj brenda sistemit të saj të vlerave dhe të moralit të saj dhe se heronjtë luajnë një rol të rëndësishëm për këtë. Mirëpo, ndërkaq, historia tregon se kohë të reja kanë nxjerrë në skenë heronj të rinj. Për shembull, nëse do ti referohemi periudhës së lëvizjeve nacionaliste të ndërtimit të shteteve kombe, që është e lidhur direkt me temën tonë, kur njerëzit filluan të bashkohen rreth disa vlerave që përçonin veçantinë e tyre kulturore, si gjuha e zakonet e përbashkëta apo edhe territori i përbashkët, heronjtë fetarë u zëvendësuan me heronjtë e kombit. Si ta shpjegojmë këtë? Hegeli, i cili është ndoshta filozofi më i rëndësishëm që është marrë me dialektikën e fateve të bashkësive në histori dhe rolin e individëve në to, u jep dy role individëve të një bashkësie: roli i parë është ai i atyre që ruajnë shpirtin e popullit në të cilin jetojnë nëpërmjet ruajtjes së zakoneve, forcimit të institucioneve. Por janë edhe ata individë, që, sipas Hegelit, kanë një rol inovacioni, përparimi. Ai i quan këta individë historiko-universalë ose më thjesht, heronj. Sipas tij, këta e kapërcejnë frymën e popullit në të cilin jetojnë sepse në ta banon fryma e botës në format që janë për tu realizuar në të ardhmen e që fryma e vjetër e popullit nuk është në gjendje ti realizojë. Individë të tillë i japin dërrmën një konteksti historik në të cilin jetojnë, duke bërë të lindë një tjetër frymë e kohës. I tillë për Hegelin ishte Napoleoni p.sh., që shkatërroi zakone e institucione që mishëronin historicitetin konkret të një kohe për të ndërtuar një tjetër botë historike. Këta individë ai i sheh si instrumente të realizimit historik të Absolutes, të cilëve forca u vjen prej kësaj, madje edhe pa qenë të vetëdijshëm për këtë rol. Hegeli bën një dallim midis heroit dhe aventurierit pikërisht në atë se ndërsa te heroi, sipas tij, kemi përputhjen e objektivave personale me ato të frymës universale, te aventurieri, i cili edhe ai mund të jetë i pakënaqur nga jeta ekzistuese, këto nuk përputhen.
Metanarrativa e Hegelit e realizimit të Absolutes si një kontinuitet në progres nëpërmjet dialektikës sot nuk mund të merret kurrsesi ad literam. Ideologjitë dhe projektet politike që u mbështetën tek ajo, duke pretenduar se kishin gjetur rrugën se për nga do të ecte Absolutja, duke e përshpejtuar dialektikën hegeliane nëpërmjet revolucioneve, çuan në totalitarizmat e në tragjeditë e shekullit XX. Përvojat e nacionalizmit, ashtu sikurse edhe ato të komunizmit, të mbushur me heronj të rinj që do të ndërtonin një botë të re superiore ndaj asaj së vjetrës, janë ilustrueset më të mira të këtij konceptimi hegelian të heroit si instrument ideologjik. Në termat hegeliane mund të thuhet se heronjtë e nacionalizmit e të komunizmit ose mbaruan misionin që u kishte caktuar Fryma, ose dolën aventurierë të rrezikshëm. Në termat e kritikës së hegelianizmit mund të thuhet se besimi në një metanarrativë teleologjike dhe heronjtë e saj është i gabuar dhe se ky gabim mund të na kushtojë shumë shtrenjtë.
Por, nuk mund të mohohet se shumë kategori të Hegelit kanë lindur nga studimi i tij i historisë dhe se, pa i besuar metanarrativës së tij, pra pa besuar në finalitetin e ecjes së historisë, prandaj dhe as në një vazhdimësi të pandërprerë të saj e të progresit, nuk mund të mos reflektojmë, megjithatë, për faktin se njerëzimi ecën nëpërmjet frymëzimesh, arritjesh e gabimesh, ku dy të parët i japin shtysën vullnetit të tij, kurse gabimet e ndihmojnë të mos i përsërisë më ato, çka, tek e fundit, bën që periudha të ndryshme historike të karakterizohen nga fryma kohe të ndryshme të ndërtuara mbi sisteme vlerash të ndryshme, që ne i quajmë më të përparuara e më të prapambetura në raport me disa vlera që i kemi përcaktuar si primare, siç janë p.sh. liria dhe demokracia, e se, po ashtu, këto mishërohen nga heronj të ndryshëm që i ndërtojnë e që pastaj i mishërojnë këto
