“Hetime edhe pas vetingut”, Dumani: Gjyqtarë e prokurorë të certifikuar kanë premisa për akte korruptive

Magjistratët e konfirmuar në detyrë janë të ekspozuar përballë korrupsionit.
Kështu u shpreh në një dalje publike kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani, i cili shtoi se institucioni i drejtuar prej tij është i angazhuar për t’i hetuar.
Në fund të dhjetorit, kompetencat e Komisionerit Publik, një institucion që në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit përfaqëson interesin publik gjatë kryerjes së rivlerësimit të magjistratëve, do të merren nga drejtuesi i Prokurorisë Antikorrupsion.
“Shqetësimi më i madh nuk janë subjektet e shkarkuara por janë ata që kanë kaluar këtë proces dhe vazhdojnë ta ushtrojnë funksionin. Fokusi ynë dhe kjo pjesë e prokurorëve. Ka premisa që mund të kryejnë akte korruptive. Kemi detyrë të ushtrojmë ndjekjen penale. Unë nuk do analizoj procesin e vetingut, pasi në fund të dhjetorit kreun i SPAK merr edhe kompetencat e komisionerit publik”, deklaroi Dumani.
Mirëpo, veç detyrës për të hetuar, Dumani bëri të qartë se disa prej magjistratëve nuk i kanë shpëtuar ndjekjes penale.
“Ne nuk kemi qenë të shurdhët dhe të verbër nga vendimet e vetingut edhe për raste kur nuk bëhen pjesë e hetimit tonë për shkak të veprën penale. Kemi regjistruar me iniciativën tonë hetimet penale duke na shërbyer si indicie vetëm përmbajtja e vendimit të vetingut. Janë çështje që i kemi në hetim, por jemi të kujdesshëm dhe përpiqemi që pasona të caktuar në SPAK të bëjnë një filtrim të vendimeve të vetingut me qëllim që në rast se nga vetë përmbajtja krijohen indicie se mund të jemi para veprës së korrupsionit. Ne kemi regjistruar procese penale për korrupsion pasiv për prokurorë e gjyqtarë. Kemi një numër të madh çështjesh penale sa i përket hetimit të tyre”, sqaroi kreu i SPAK.
Megjithatë SPAK-ut nuk i lejohet të përgjojë në rastet kur nën hetim janë vepra penale si ajo e Mosdeklarimit dhe Fshehjes së Pasurisë.
“Në rast se nga vetë përmbajtja e vendimit, krijohen indicie për vepër korrupsioni, ne kemi regjistruar procedim për veprën penale. për veprën penale 257 a, nuk lejohet përgjimi. Në rastet e korrupsioni kemi përdorur të gjithë llojet e përgjimeve apo llojet e tjera të kërkimit të provës. Për 257 a, nuk na lejohet si mjet përgjimi”, tha Altin Dumani.
Në fund, Dumani ftoi qytetarët dhe institucionet të denoncojnë rastet korruptive. Ai i bëri deklarimet në një tryezë të organizuar nga Shoqëria Civile dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit./vizionplus.tv