E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimet e SPAK për 21 janarin, vijon marrja e dëshmive, pritet përgjigjia e ekspertizës për audiopërgjimin ambiental

Që në 15 korrik të vitit të 2024, kur  SPAK u detyrua nga Gjykata e Lartë të rihapë dosjen e 21-janarit për herë të parë kanë dëshmuar zyrtarët më të lartë të shtetit për kohën.

Prokuroria Speciale ka pyetur ish-kryeministrin Sali Berisha, numrin dy të tij, Ilir Meta, ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha dhe presidentin e atëhershëm, Bamir Topi.

Duke thirrur zinxhirin më të lartë shtetëror organi i akuzës synon të zbardhë rolin e secilit, nëse është implikuar ndonjëri në dhënien e urdhrit për të qëlluar mbi protestuesit, duke vrarë katër prej tyre në mes të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Megjithatë, përcaktuese në këtë proces do të jetë përgjigjja e autorieteteve të huaja për audiopërgjimin ambiental që ka dorëzuar në prokurori, Aleks Nika, xhaxhai i të ndjerit Mark Nika që ndërroi jetë duke protestuar.

Ndërsa pritet edhe përgjigjja e ekzaminimit shkencor nga autorietet në Romë për predhën që i mori jetën protestuesit nga Lezha.

Krahas shefit të ekzekutivit në 2011dhe një pjesë e kabinetit të tij, derën e SPAK e kanë parë edhe tetë persona te tjerë, ish-zyrtarë, që kanë protestuar për rrëzimin e qeverisë Berisha 15 vjet më parë.

Ish-ministri i  Brendshëm Saimir Tahiri, i ndjekur nga ish-ligjvënësit socialistë, Xhemal Qefalia, Armando Prenga  e Arben Çuko kanë dhënë deponimet e tyre përballë prokurorit Alfred Shehu.

Për mediat ata thanë se ishin thirrur si persona që mund të kenë dijeni mbi vrasjet e protestuesve, pasi kanë qenë organizatorë të tubimit. Ndërkaq, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj dhe zëvendësi i tij, Agron Kuliçaj janë akuzuar se kanë zbatuar me vonesë urdhër-arrestet e prokurorisë në 2011.

Mirëpo publikisht ata i mohuan pretendimet. Megjithatë prokurorët e kohës kanë konfirmuar për Vizion Plus se kanë pasur probleme me zbatimin e urdhërndalimeve që ata kishin nxjerrë.

Por si u rihap dosja 21 janari?

Vendimi i Gjykatës së Lartë u parapri nga një tjetër vendimmarrje ajo e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg ku “Çështja Nika kundër Shqipërisë” u fitua. Strasburgu i dha të drejtë familjarëve të Aleks Nikës duke i konsideruar vrasjet krim shtetëror.

Ka qenë pikërisht, vendimi unifikues i Gjykatës Europiane që detyroi edhe Gjykatën e Lartë t’i jepte dritën jeshile çeljes së hetimeve të dosjes “21 Janari” e për rrjedhojë vuri SPAK-un në lëvizje.

Procedimi penal është regjistruar për tri akuza të rënda “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, “Shpërdorim detyre” dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›