E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hetimet për Incineratorin e Tiranës, më 29 janar vendimi për Bllakon

Alqi Bllako, ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, do të gjykohet për korrupsion në dy raste në lidhje me dosjen e incineratorit të Tiranës.

Në seancën e kësaj të marte, ish-zyrtari i lartë kërkoi gjykim të shkurtuar. Gjykata e pranoi kërkesën e tij dhe ftoi prokurorët e SPAK-ut të japin pretencën për Bllakon, e cila do të bëhet në seancën e radhës.

Bllakoja, sipas SPAK-ut, përfitoi rreth 120 mijë euro si pagesë për makinerinë e verërave të të atit, Edmond Bllako, i cili ishte i pranishëm në seancën e kësaj të marte.

Gjithashtu pretendohet se ish-zyrtari përfitoi edhe afro 8 milionë lekë rrogë nga kompanitë e incineratorëve, që u favorizuan në marrjen e koncesionit.

Bllakoja, thotë SPAK-u, i ka kërkuar Klodian Zotos që të punësojë ish-këshilltarin e jashtëm të minstrit të Mjedisit, Lefter Koka, për të ofruar konsulencë juridike për çështjen e incineratorit të Tiranës para se të bëhej propozimi i pakërkuar lidhur me këtë çështje.

Për këtë dosje, Gjykata vendosi të shprehet më 29 janar, ditën kur SPAK-u dhe avokatët mbrojtës do të paraqesin argumentet e tyre.

Në SPAK, këtë të martë ka qenë një ditë e ngarkuar, ku për hetime të tjera u morën në pyetje ish-deputeti dhe kreu i Partisë “Fryma e re demokratike”, Sali Shehu, kryebashkiakja e Lushnjës, Eriselda Sefa, për një kallëzim të bërë nga një shkollë private në këtë qytet, si dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli. Ky i fundit nuk pranoi të fliste për gazetarët.

Gazetar: Kreshnik Mersinllari

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›