Hetimi/ Ish- drejtori i burgut të Shënkollit, leje të dënuarve për 300 eurove
“Të uroj shnet Zotni, shiko e ma maro të mërkurën at muhabetin se më neron.
Ky është vetëm një nga mesazhet që i dënuari për vrasje Kastriot Kola, i dërgonte ish drejtorit të burgut të Shënkollit Lezhë, Valentin Mirit, të cilit i kërkonte të firmoste lejen shpërblyese, pasi i kishte dhënë shumën prej 300 eurosh.
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet ndaj të pandehurit Miri, ndaj të cilit ka ngritur akuzat për Shpërdorim detyre dhe Korrupsion pasiv.
Në dosjen e organit të akuzës zbardhen të gjitha aferat korruptive të ish-drejtorit të burgut të Shënkollit, i cili, kundrejt shumave nga 10 mijë lekë deri në 300 euro firmoste lejet shpërblyese për të dënuarit, si dhe lejonte përdorimin e celularëve në qeli.
Madje, në një nga rastet Valentin Miri kishte marrë lekët për ti dhënë leje Kastriot Kolës, por nuk ka mundur ta firmosë, pasi nuk ka firmosur mjeku i burgut. Në dosjen e prokurorisë thuhet se Valentin Miri i ka shpjeguar të dënuarit me vrasje përse nuk e firmoste dot lejen, duke argumentuar mes të tjerash se do të shkarkohej nga detyra e drejtorit të burgut, ndërsa Kastriot Kola i ka thënë ti mbante lekët.
Hetimet ndaj Valentin Mirit, ish-drejtor i burgut të Lezhës, nisën pas një informacioni që Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje i referoi Prokurorisë së Tiranës. Miri, me detyrë drejtor i Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Shënkoll Lezhë, dyshohej së në kundërshtim me ligjin kishte dhënë leje të veçanta dhe shpërblyese për disa të dënuar. Gjithashtu, dyshohej dhe në lidhje me lejimin e të burgosurve që të mbanin mjete të ndaluara në dhomat e tyre. Po kështu dyshohet se ka marrë në mënyrë të kundraligjshme shpërblime financiare nga familjarët e të dënuarve, për tu lejuar atyre celularë në qeli, si dhe duke u dhënë leje shpërblyese të jashtëligjshme/A.XH