E Martë, 3 Nëntor 2026

Hezbollahu: Do të ndalojmë së luftuari me Izraelin pas armëpushimit në Gazë

Zëvendës shefi i Hezbollahut ka theksuar se rruga e vetme e sigurt për një armëpushim në kufirin Liban-Izrael është një armëpushim i plotë në Gazë.

“Nëse ka një armëpushim në Gaza, ne do të ndalemi pa asnjë diskutim”, tha nënkryetari i Hezbollahut, Sheikh Naim Kassem, në një intervistë me Associated Press në zyrën politike të grupit në periferitë jugore të Bejrutit.

Pjesëmarrja e Hezbollahut në luftën Izrael-Hamas ka qenë si një “front mbështetës” për aleatin e tij, Hamasin, tha Kassem, dhe “nëse lufta ndalet, kjo mbështetje ushtarake nuk do të ekzistojë më”.

Sipas tij, nëse Izraeli zvogëlon operacionet e tij ushtarake pa një marrëveshje formale armëpushimi dhe tërheqje të plotë nga Gaza, implikimet për konfliktin kufitar Liban-Izrael janë më pak të qarta.

“Nëse ajo që ndodh në Gazë është një përzierje midis armëpushimit dhe jo armëpushimit, luftës dhe jo luftës, ne nuk mund të përgjigjemi (si do të reagonim) tani, sepse nuk e dimë formën, rezultatet, ndikimet”, tha Kassem gjatë një interviste 40-minutëshe.

Javët e fundit, me bisedimet e armëpushimit në Gazë që po dështojnë, frika është rritur për një përshkallëzim në frontin Liban-Izrael.

Hezbollahu ka shkëmbyer sulme pothuajse ditore me forcat izraelite përgjatë kufirit të tyre gjatë nëntë muajve të fundit.

Konflikti i nivelit të ulët midis Izraelit dhe Hezbollahut ka zhvendosur dhjetëra mijëra në të dy anët e kufirit Izrael-Liban.

Muaj të tëra bisedime të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht për armëpushim në Gazë kanë dështuar në mënyrë të përsëritur.

Hamasi ka kërkuar përfundimin e luftës dhe jo vetëm një pauzë në luftime, ndërsa kryeministri Benjamin Netanjahu ka refuzuar të bëjë një angazhim të tillë derisa Izraeli të realizojë qëllimet e tij për të shkatërruar aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit dhe të sjellë në shtëpi rreth 120 pengjet e mbajtura.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›