Hidhet shorti në KQZ, Partia e Lirisë numërues vetëm në tavolinat me numër tek, PDIU merr gjysmën tjetër

Vetëm në gjysmat e grupeve të numërmit të votave për zgjedhjet e majit koalicioni “Bashkë Fitojmë” do të ketë përfaqësues të saj.
Shorti përcaktoi që rojtarët e Partisë së Lirisë do të ulen në tavolinat e numërimit me numër tek. Në ato me numër çift, pra në gjysmën tjetër do të ulen numëruesit e PDIU-së.
Për vendoret e majit numërues në të gjitha tavolinat do të kenë Partia Socialiste me dy dhe me një Demokratike e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj. Dy të tjerët do të ndahen mes PL-së dhe PDIU-së.
Shqetësimit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe organizatave të shoqërisë civile se materialet propogandistike të Partisë Socialiste janë në shkelje të kodit zgjedhor, Ilirjan Celibashi iu përgjigj me një afat. Brenda 48 orëve PS duhet të vendosë në këto reklama mbishkrimin se përmbajtja është në përgjegjësinë e tyre ligjore.
Në ditën e 11 të fushatës elektorale Ilirjan Celibashi kërkoi nga të 61 bashkitë vendndodhjet e përcaktuara për materialet propagandistike, pra citylight dhe billboard, që në shumicën e tyre përmbajnë vetëm mesazhet politike të mazhorancës qeverisëse.
Për aq kohë sa kodi elektoral nuk njeh asnjë parashikim ligjor për përmbajtjen e tyre, ajo nuk u diskutua.