Hidhet shorti në “Kombinat”, 62 familje të tjera marrin çelësat e shtëpive të reja

TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ Në lagjen “Kombinat” (Tiranë) po vijon shpërndarja e apartamenteve të reja për të prekurit nga tërmeti.
Sot është hedhur shorti për përzgjedhjen e apartamenteve në pallatet e reja të ndërtuara në lagjen “Kombinat”, ku do të sistemohen familjet e mbetura pa strehë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale momente nga procesi i hedhjes së shortit publik, një proces i hapur dhe transparent, ku familjarët ose përfaqësuesit e tyre, përzgjedhin shtëpinë e tyre të re, në të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë me shtëpinë që kishin përpara tërmetit.
Gonxhja bëri të ditur se, “nga shorti i sotëm përfituan 42 familje të kategorive prioritare, të moshuar, ndër to 11 familje me aftësi të kufizuara (PAK), si dhe 20 familje të tjera, të cilat do të kenë së shpejti çelësat e një shtëpie të re”.
“Pranë atyre që kanë më shumë nevojë, jo vetëm për një strehë të re, por për një jetë më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më dinjitoze”, u shpreh ministri.
Programi i rindërtimit ka transformuar të gjithë zonën e “Kombinatit”.
“Kombinati” po kthehet në një qendër të re urbane me sipërfaqe totale ndërtimi prej 16 780 metrash katrorë, ku përfshihen 1064 apartamente cilësore, ndërsa janë ndërtuar edhe njësi shërbimesh tregtare, parqe etj.
/r.e/a.f/