Hidra e terrorit
robelli@bluewin.ch
Më duket se dinjiteti i njeriut varet nga zgjedhja. Kjo e dallon njeriun prej kafshës; kafsha përherë është vetëm rezultat; kafsha smund të bëhet fajtore, po aq pak mund të bëhet e lirë; kafsha bën përherë atë që duhet të bëhet; dhe ajo se di çka bën. Njeriu mund ta dijë, madje edhe Zoti, i Gjithëfuqishmi, e vë atë para zgjedhjes, nëse dëshiron ti ndjekë engjëjt e tij të mirë apo të ligj; sepse Zoti sna do si kafshë. Tek nga zgjedhja e mundshme rrjedh përgjegjësia: faji apo liria.
Max Frisch, autor zviceran Ditari, 1946-1949
Këtë lajm bota e lirë e ka pritur prej vitesh: Osama bin Ladeni është vrarë. Pothuaj 10 vjet pas sulmeve në New York dhe Washington, të cilat e goditën Amerikën, superfuqinë botërore, në zemër, princi i terrorit prapë u kthye në të gjitha televizionet e botës, por kësaj radhe vetëm me kokën e përgjakur dhe me sy të mbyllur. Ishte një pamje e tmerrshme dhe e shumëpritur, e cila dje në mëngjes dhe më vonë gjatë ditës u shfaq pandërprerë në të gjitha ekranet. Osama bin Ladeni jetoi për të vrarë njerëz. I lindur me gjasë në vitin 1957, në një familje të pasur në Arabinë Saudite, ai që në rini filloi karrierën e tij të ndryshme nga elita religjioze e këtij vendi. Një elitë me pjesëtarë kryesisht hipokritë, të cilët në Arabinë Saudite agjërojnë Ramazanin dhe falin pesë vakte namazi, por kur udhëtojnë jashtë vendit, sidomos në Evropë, marrin haremin me vete dhe bëjnë qejf nëpër hotelet më të shtrenjta. Bin Ladeni shpejt u neverit nga kjo shtresë dekadente. Ai iu përkushtua fesë, madje duke e interpretuar atë në mënyrën më të ashpër të mundshme, për shembull, duke mos i përshëndetur gratë për dore, duke refuzuar të dëgjojë muzikë dhe duke ndaluar fotografitë në ambientet ku jetonte. Pas marshimit të sovjetikëve në Afganistan, Bin Ladeni vrapoi në Pakistan dhe nga atje nisi betejën e tij kundër trupave komuniste të Moskës. Atëbotë, në fund të viteve 70, ai ishte aleat i Amerikës, bashkë me muxhahedinët afganë. Kur sovjetikët paralajmëruan largimin nga Afganistani, Bin Ladeni ishte tashmë njëri prej prijësve kryesorë të xhihadit.
Terrori global
I dalldisur nga fitorja kundër sovjetikëve, ai vendosi që tani të luftojë perandorinë e dytë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i fajësonte për eksploatimin e vendeve arabe dhe për poshtërimin e myslimanëve. Momenti i shpalljes së luftës erdhi kur Shtëpia Mbretërore e Arabisë Saudite në vitin 1990 lejoi trupat amerikane të vendosen në shtetin e vendeve të shenjta islame. Sipas kësaj logjike bizare, trupat e krishtera amerikane kishin fëlliqur Mekën dhe Medinën duke u vendosur në Arabinë Saudite. Në vitin 1992, Bin Ladeni shkoi në Sudan dhe prej atje filloi ndërtimin e rrjetit të tij botëror të terrorit. Në vitin 1996, Qeveria e Sudanit u detyrua ta dëbojë Bin Ladenin pas presionit të SHBA-së. Princi i terrorit u kthye sërish në Afganistan, ku talibanët tashmë e kishin konsoliduar pushtetin. Atje Bin Ladeni ishte i mirëpritur dhe gëzonte respekt. Motoja e tij ishte: Obligimi për të vrarë amerikanë, pa marrë parasysh a janë civilë apo ushtarë, është obligim për çdo mysliman, i cili mund ti kryejë ato, kudo. Kjo deklaratë u bë në vitin 1998 në emër të Frontit Ndërkombëtar për Xhihad dhe kundër hebrenjve dhe kryqëzatësve. Më vonë ky front do të njihet në botë si rrjeti terrorist Al-Kaida, i cili do të sulmojë ambasadat amerikane në Najrobi dhe Dareselam (mbi 200 të vdekur) dhe anijen luftarake amerikane USS Cole (17 ushtarë të vrarë amerikanë). Nga Afganistani Bin Laden rekrutoi luftëtarë të xhihadit nga mbarë bota, mes tyre edhe një grup studentësh nga Egjipti dhe vendet e tjera arabe, të cilët studionin në Universitetin Teknik të Hamburgut. Ata shkuan në Afganistan, u trajnuan në kampet e Al-Kaidës dhe më 11 shtator 2001 kryen sulmet barbare kundër Amerikës, me çrast u vranë rreth tre mijë njerëz.
Që nga atëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë shumë aksione për zbulimin, arrestimin ose vrasjen e Bin Ladenit. Pa sukses. Ai fshihej nëpër shpellat e Afganistanit dhe viteve të fundit thuhej se po qëndronte në Pakistan. Ushtria amerikane kryesisht operonte në mjegull dhe e kishte të pamundur ta lokalizojë vendqëndrimin e tij. Herë pas here Bin Ladeni i drejtohej opinionit botëror dhe përsëriste përbetimin e tij për zhdukjen e Amerikës. Rrjeti i tij gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë pjesë e sulmeve kundër civilëve në Madrid, Londër dhe gjetiu në Evropë. Ideologjia e tij vrastare inspiroi jo pak radikalë islamikë. Bin Ladeni ishte terroristi i parë islamik që në historinë moderne provoi të nxisë një luftë mes civilizimeve. Këtë mision të tmerrshëm atij ia lehtësuan edhe disa klerikë të krishterë në SHBA, të cilët si kundërpërgjigje ndaj çmendurive të tij e fyenin fenë islame dhe kërcënoheshin me djegien e Kuranit. Edhe pushtimi i Irakut nga forcat amerikane, duke u bazuar në argumente të rrejshme se gjoja Sadam Huseini posedon armë të shkatërrimit masiv i shërbeu Bin Ladenit për të vazhduar propagandën e tij kundër Amerikës.
Epoka e Obamës
Por, me largimin e presidentit George W. Bush dhe të turmës së tij ideologjike gjërat filluan të ndryshojnë. Kryetari i ri Barack Obama ishte i vetëdijshëm se për shkak të pushtimit të Irakut, Amerika e kishte dëmtuar besueshmërinë e saj në botën arabe. Në vitin 2009 ai mbajti një fjalim historik në Kajro, ku i premtoi botës islame një kapitull të ri në marrëdhëniet me Amerikën. Toni i fjalimit të tij ishte pajtues, i hapur dhe bashkëpunues. Ai tregoi për lidhjet e tij me islamin, e lavdëroi këtë religjion si pjesë të civilizimit botëror dhe përkujtoi se në vitin 1777, Maroko ishte shteti i parë që e kishte pranuar pavarësinë e Amerikës. Është shumë e qartë se agjenda e George W. Bushit për gjoja demokratizimin e Irakut dhe Afganistanit ishte e mbingarkuar me ideologji. Imazhin e Amerikës e dëmtuan edhe shkelja e të drejtave të njeriut në burgun Abu Graib në Bagdad, burgosjet pa dëshmi në Guantanamo dhe torturat në burgun e Bagramit në Afganistan.
Në dy-tre vjetët e fundit Al-Kaida e humbi ndikimin që kishte nga njëra anë për shkak të politikës së Obamës, i cili arriti të bëjë një ndarje mes terrorizmit dhe shoqërive arabe, të cilat po ashtu ëndërrojnë demokracinë, lirinë e shprehjes dhe mirëqenien ekonomike. Dhe, nga ana tjetër, për shkak të arabellionit, rebelimit demokratik në vendet arabe. Në dhjetor dëshira për ndryshime e shtresave popullore arabe u shndërrua në një lëvizje revolucionare, së pari në Tunizi, pastaj në Egjipt, Jemen, Siri dhe Libi. Liderë të mbështetur nga Amerika, si Zine al-Abidin Ben Ali dhe Hosni Mubarak, u rrëzuan nga pushteti, ndërsa të tjerët pritet ti gjejë e njëjta nafakë. Në këtë lëvizje roli i Al-Kaidës nuk po shihet.
Megjithatë, fara e ideologjisë së Bin Ladenit nuk është çrrënjosur me vrasjen e tij. Në botën myslimane ende ka mjaft ekstremistë fetarë që janë të bindur se lufta kundër Amerikës, kundër Perëndimit në përgjithësi dhe vlerave të tij duhet të vazhdojë. Me vrasjen e Bin Ladenit Amerika ka shënuar një fitore të rëndësishme në rrugën e gjatë të luftës kundër terrorit. Kjo është një luftë e vështirë, sepse shpesh armiku është i padukshëm. Unë jam një skllav i varfër i Allahut. Kur të vdes, lufta do të vazhdojë, ka thënë Bin Ladeni me një rast. Ky mesazh mund të përgënjeshtrohet vetëm me demokratizimin e botës myslimane, e cila mund tia heqë kokat hidrës së terrorit.
Bin Ladeni dhe Ballkani
Me shpërthimin e luftës në Bosnjë dhe me dështimin e Perëndimit për ti shpëtuar myslimanët
