Himara voton, Andoni: Janë zgjedhje lokale me “vello” politike

Analisti Ben Andoni e shikon shqetësuese mungesën e adresimit të problemeve që ka shoqëruar sot procesin e votimit në Himarë, ku si pasojë e skadimit të kartave të identitetit raportohet se 6 mijë votues nuk e kanë ushtruar këtë të drejtë.
Në studion e RTSH-24, analisti Ben Andoni tha se me gjithë vëmendjen e madhe dhe kohën që kanë shpenzuar partitë politike atje, “duhej të pyesnin në shërbimin e Gjendjes Civile, sepse partitë politike kanë të drejtë ta bëjnë këtë gjë. Kjo është shqetësuese, sepse nuk duhet parë vetëm në aspektin teknik por dhe politik.”
Problemet me procesin zgjedhor që rikthehen pas shumë vitesh në Himarë, sipas Andonit, tregojnë që jemi të papërgatitur.
“Akuzat greke vërtet janë bërë duke pasur parasysh z. Beleri, por kur janë paraqitur zyrtarisht janë paraqitur si shkelje të të drejtave të njeriut, që sipas tyre vijnë duke i hequr mundësinë e votimit qytetarëve si shtet.”
Për analistin Andoni, zgjedhjet në Himarë janë zgjedhje lokale me “vello“ politike.
“Janë zgjedhje lokale, por krejtësisht politike, sepse në radhë të parë i duhet dhënë fund këtij konflikti të tepruar me Greqinë. Greqia në këtë çështje mori atë që mund të merrte duke e kthyer çështjen në problem etnik, kur nuk duhet të ishte dhe nuk është një problem i tillë, sepse mbi 85% e popullsisë atje është shqiptare.”
Andoni tha se në këtë garë sheh z. Tavo të avantazhuar për shkak të përvojës administrative.
“Tavoja nuk është i kompleksuar për të folur edhe greqisht, sikurse flet dhe shqip. Ka përvojën si në pushtet lokal dhe pushtetin e qendrorë. Kjo mendon Andoni e avazntazhon nga z. Gjikuria që ka ardhur në Himarë në momentet e fundit që e lidh në një farë mënyre vetëm ADN-ja me zonën“.
/rtsh.al/